Bota

Rama viziton Vatikanin: Asnjë kryetar shteti nuk e kishte shkelur pragun!

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale detaje nga vizita e tij në bazilikën e Genazzanos, ku ndodhet Shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë e njohur si Zoja e Shqipërisë ose Regina di Albania – ikona që erdhi nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin 1467.

Në postimin e tij, Rama thekson se nisi nga Genazzano vizitën drejt Vatikanit për takimin me Atin e Shenjtë Papa Leoni XIV, duke shënuar kështu një moment të veçantë: që nga viti 1467, asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e kësaj bazilike, ku flamuri ynë kombëtar qëndron përherë pranë Zojës dhe ku pothuajse të gjithë Papët kanë kryer rite.

Rama shton në postim se Papa Leoni XIV vetë, sapo u zgjodh, zgjodhi si vizitën e parë jashtë Vatikanit pikërisht Genazzanon për t’u lutur privatisht para kësaj ikone të dashur për shqiptarët.

Sipas agjendës së bërë publike, kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

Pritja do t’i paraprijë audiencës që Rama do të ketë me Papa Leonin XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë