Eskorta e Kryeministrit Edi Rama është ndaluar në orët e paradites së kësaj të marte në familjen e të ndjerit, Klodian Rasha, i riu i vrarë nga Policia e Shtetit më 8 dhjetor.
Në konferencën me gazetarët pas kësaj vizite në familjen Rasha, Kryeministri sqaroi termin “aksidental” të përdorur në vendimin e Këshillit të Ministrave, ku i lidhet një pension social prej 610 mijë lekësh babait të Klodian Rashës.
“Qeveria nuk është gjykatë dhe pse nuk mund të marrë përsipër të bëjë rolin e gjykatës është përdorur thjesht dhe vetëm një term juridik, teknik, për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit dhe është thënë aksidentalisht nga veprimi i forcave policore. Kjo do të thotë që personi që humbi jetën tragjikisht, nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor, por ka humbur jetën në kushtet e një përplasje aksidentale. Kjo nuk përcakton që personi është vrarë me një plumb që ka ardhur nga qielli, thjesht përcakton që humbja e jetës është rezultat i një përplasje aksidentale.
Rama mohoi se është ndërhyrë përmes një akti normativ të Qeverisë për të lidhur pension me të atin e Klodian Rashës. Ai tha se bëhet fjalë për një VKM.
Vizita e kreut të Qeverisë mbërrin pas gjashtë ditësh protesta për vrasjen e 25-vjeçarit, ku pas dorëheqjes së ministrit Sandër Lleshaj tashmë kërkohet dorëheqja e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Gjithashtu, një ditë më parë u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i Qeverisë që e quan “aksidentale” vrasjen e të riut dhe që lidh pension për familjen e Klodian Rashës në masën 8 herë më të lartë se pensioni social.
Pas këtij vendimi, babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha foli për mediat duke deklaruar se cilësimi “aksidental” ishte një vrasje e dytë e të birit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



