Kryeministri Edi Rama përshëndeti të gjitha partitë politike të Kosovës për procesin zgjedhor shembullor që zhvilluan, e posaçërisht Lëvizjen Vetëvendosje, që thotë se është fituesja e qartë e këtyre zgjedhjeve.
Në mesazhin e tij të shkurtër të përçuar përmes rrjeteve sociale, kreu i Qeverisë shqiptare shpreson që nga ky rezultat të hapet një kapitull i ri për Kosovën me një qeveri të qëndrueshme.
“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve,LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën,me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social”, shkruan Rama.
Zëri i parë nga mazhoranca në Shqipëri që i uroi fitoren Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Dua të uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen dhe mikun tonë Albin Kurti për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Uroj që procesi i konstituimit të Kuvendit të ri dhe të Qeverisë së re të marrë kohën sa më të shkurtër”, deklaroi Balla.
Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve foli në përfundim të mbledhjes së përjavshme me drejtuesit politikë të qarqeve. Ai vlerësoi procesin zgjedhor në Kosovë, ndërsa tha se Shqipëria mezi pret që të bashkëpunojë me Kuvendin dhe Qeverinë e re të Prishtinës.
Sipas Ballës, mesazhi që duhet të merret nga zgjedhjet e Kosovës është njohja e rezultatit nga ana e partive politike. Ai tha se shpreson që e njëjta gjë të ndodhë edhe pas 25 prillit në Shqipëri.
I pari që uroi Albin Kurtin nga klasa politike shqiptare ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha, ndërkohë që është ende në pritje urimi i Kryeministrit Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.