Politike

Rama uron Kosovën për liberalizimin e vizave: Viti 2024 nis i mbarë. Begaj: Arritje e merituar, por e vonuar

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri Edi Rama ka dërguar mesazh urimi për shqiptarët e Kosovës, të cilët nga dita e sotme (1 Janar) do të mund të udhëtojnë pa viza drejt 29 shteteve të zonës Schengen.

Kreu i qeverisë, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se Kosova e ka nisur mbarë vitin e ri 2024, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në BE.

Edhe Presidenti Bajram Begaj ka uruar qytetarët kosovarë. Ai shkruan se kjo është arritje e merituar, por e vonuar.

“Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët nga sot udhëtojnë pa viza në Evropë! Kjo është një arritje e merituar, por e vonuar. Shpresoj që ky hap të përshpejtojë të gjithë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, shkruan Kreu i Shtetit.

Edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, përmes një postimi në rrjetin social “X”, është shprehur se kjo ngjarje ishte e vonuar, por që ngelet e dobishme për Kosovën dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor e BE-në.

“E sotmja është një ditë e mirë për Kosovën, pasi qytetarët e saj më në fund kanë filluar të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, i shumëpritur dhe i merituar, me Bashkimin Evropian.
Një hap i vonuar, që nuk është i dobishëm vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe BE-në.
Gëzuar Vitin e Ri Kosovë’, shkruan Hasani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë