Politike

Rama u lë kandidatëve dy porosi: Harroni sondazhet dhe opozitën

Kryeministri Edi Rama mblodhi 160 kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, për t’u përçuar disa mesazhe e porosi.

“Harrojini sondazhet dhe avantazhet! Harrojeni sa kemi bërë në këto dy mandate. Ndeshja jonë fitohet kur hyjnë të gjitha votat në kuti dhe deri në atë moment jemi barazim. Të fokusohemi te detyra jonë, detyra që ka secili si individ dhe detyra që kemi të gjithë bashkë si skuadër, programi i punës tonë, qytet më qytet, fshat më fshat, derë më derë, rrjet social më rrjet social”, ishte porosia e parë e Ramës.

Porosia e dytë lidhej tërthorazi edhe me opozitën, që sipas tij është aq e dobët sa rrezikon që të mos motivojë në fushatë socialistët.

“Problemi ynë më i madh në këtë ndeshje janë kundërshtarët e çorganizuar që deri më tani, 4 vite kanë bërë gjithçka për ta humbur ndeshjen, programe pa lidhje, lidership pa karakter dhe ekipi mos o Zot që ngjan si parking makinash të vjetra dhe Luli si roje parkingu që fle gjumë dhe Monika që u bie borive për të ndaluar autokolonën tonë drejt fitores. Janë problem sepse duhet të gjejmë motivim deri në fund, motivimin nuk mund të na e japin ata. Motivimi janë objektivat. Të gjithë në sulm për ekonominë, drejtësinë dhe mbrojtur popullin nga taksa e sheshtë. Në sulm për të zeruar taksën e pagave deri në 400 mijë lek, në sulm për të mbrojtur drejtësinë e re nga Iliri, Saliu dhe KÇK-ja”, vijoi Rama.

Rama këmbëngul se ekipi i prezantuar prej tij është skuadra fituese e 25 prillit, por mes këtij ekipi veçoi dy emra.

“Veçoj Blendi Çuçin, që na mbajti më shumë se 20 minuta në kryesi, duke këmbëngulur që të qëndronte te kufiri i objektivit maksimal, jo tek kufiri bazë. Dionisin (Imeraj), që iu përgjigj menjëherë dhe pa asnjë ngurrim ftesës për t’u përfshirë në këtë betejë duke u larguar nga një zyrë, si ajo e kryetarit të Bashkisë së Dibrës”, tha ai.

Falenderime çoi edhe për ata që u lanë jashtë liste. Për këtë kategori tha se do të vijojë të jetë pjesë e PS-së edhe pas 25 prillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë