Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ndërsa kërkoi një mandat të dytë qeverisës, theksoi se nuk bëhet fjalë për interesat e tij personale.
Ai duke iu përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale përsëriti se bëhet fjalë për një çështje shumë më të madhe, atë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama tha se Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësinë për t’u integruar në BE, duke vijuar se fëmijëve shqiptarë duhet t’u sigurohet pasaporta e BE, jo TikTok-u.
“Këtu nuk bëhet fjalë për mua, por për diçka më të madhe. Bëhet fjalë që fëmijëve të këtij vendi ti japim pasaportën e BE, jo TikTok-un. Duhet kapërcyer mbi partitë dhe dokrrat, pakënaqësitë dhe broçkullat. Është një moment në histori që treni i historisë ka ndaluar para nesh e duhet ta kapim, kush e kap atë shkon para, kush kthehet në anën tjetër dhe ia fut gjumit e humbet këtë tren”, tha ai.
Ai përmendi edhe Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat ende vazhdojnë procesin e negociatave me BE.
“E di kur i ka filluar negociatat Mali i Zi, në vitin 2012. Ne i kemi filluar vjet. E di kur i ka filluar Serbia, në 2014. E di ti se ku gjendet sot Serbia dhe ku gjendemi ne në procesin e negociatave. Ne jemi përpara. E di kur është bërë Maqedonia e Veriut kandidate për BE, në 2005. E di që RMV s’i ka hapur akoma negociatat, çfarë flisni? Si e dini ju hyrjen në BE? E di se çfarë është të negociosh me BE? Të kesh institucione të besueshme, disa standarte bazë si BE dhe ne po e bëjmë këtë do apo nuk do ti. Ne po bëjmë shtet sepse pikërisht negociatat dhe hyrja në BE janë testi dhe provimi i shtetit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



