Politike

Rama thirrje Vuçiç: Mos ushqe tensionet në Veri të Kosovës. Sanchez: Me Pavarësinë u shkel e drejta ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç që të mos ushqejë tensionet në veri të Kosovës, duke justifikuar veprimet e grupeve të caktuara.

“U bëj thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë, që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie me grupe të caktuara në Veriun e Kosovës, që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje, që duhet të zbatohet për t’i dhënë më shumë besueshmëri bisedimeve mes dy vendeve”, tha Rama.

Kryeministri foli në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Spanjës, një prej pesë vendeve të BE që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, Pedro Sanchez. Rama tha se gjatë bisedës me Sanchez është diskutuar edhe Kosovë.

“Dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm dhe tradicionalisht të palëvizshëm, për arsye që lidhen me vetë Spanjën, por që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi, apo paragjykimi ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtës së tyre”, shtoi ai.

“Sidoqoftë kemi diskutuar në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim tërësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë për t’u zbatuar edhe jo për t’u diskutuar. Por, përshëndesim edhe shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje, gjë që u kërkua edhe nga Shtetet e Bashkuara përmes ambasadorit në Kosovë”, vijoi më tej Kryeministri Rama.

Pasi i dha të drejtë dhe mbështetje 100 për qind veprimeve të Qeverisë së Kosovës, Rama tha se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës e bindin edhe më shumë se rruga për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është dialogu dhe bashkëpunimi, edhe përmes Ballkanit të Hapur me Serbinë.

“Këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit dhe dialogut është e gabuar. Këto situata tregojnë pikërisht pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në Ballkanin e Hapur. Këto situata tregojnë që ka dy rrugë, rruga e kthimit mbrapa dhe luftës nga e cila nuk fiton më askush dhe rruga tjetër është ndërtimi i paqes. Unë jam me të parën dhe as mos prisni që unë të kem një opinion tjetër”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri spanjoll i pyetur nëse Madridi ka në plan të njohë Pavarësinë e Kosovës përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në Beograd. “Në këndvështrimin tonë si Spanjë, është shkelur e drejta ndërkombëtare”, u shpreh ai.

“Spanja ka arsyet e veta që ta lexojë ashtu siç e lexon marrëdhënien me Kosovën. Kjo nuk e pengon Spanjën që ne jemi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo nuk është një shprehje mosrespekti për mënyrën se si ne shqiptarët e shohim këtë çështje”, shtoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë