Politike

Rama takim privat me Ivanka Trump në Vlorë, fokusi tek investimet strategjike

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë, ku pritet të zhvillojë një takim me Ivanka Trump.

Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka, ka mbërritur këtë të mërkurë në qytetin bregdetar.

Vizita po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa nuk janë bërë ende publike detaje mbi axhendën dhe temat që do të diskutohen gjatë takimit.

Megjithatë sipas burimeve mësohet se kryeministri Edi Rama dhe Ivanka Trump do zhvillojnë një darkë pune, së bashku me grupin e punës të cilët janë mbi 50 arkitektë nga e gjithë bota për të diskutuar rreth mënyrës së realizimit të projekteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

Dhëndri i Presidentit amerikan ka marrë statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, i cili është përdorur vetëm si bazë ushtarake.

Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. Projekti parashikon “marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë