Politike

Rama: Nuk do jetë e largët dita kur Shqipëria do ketë një kryeministre grua

Nga Gazeta ‘Si’- Nën simboliken e 12 yjeve në flamurin e Bashkimit Europian dhe pasaportës europiane, kryeministri Edi Rama i parapriu çeljes së fushatës zyrtare me një takim me gratë socialiste.

Ai u shpreh se lista e kandidatëve të Partisë Socialiste i ka përfaqësuar sipas tij në mënyrën më dinjitoze gratë dhe vajzat shqiptare dhe shtoi se 52 % e kandidatëve në listat e mbyllura të PS, janë vajza e gra.

“Ju sot keni 71 përfaqësuese në skuadrën tonë të 11 majit. Dhe keni 1/3 e drejtuesve politikë të PS-së. Por shifra më e bukur është 52% i plotë në listën e mbyllur, i cili është i juaji, jo i burrave dhe i djemve.

Unë kam besuar gjithmonë që hendekun absurd të tifozllëkut, absurditetit mes luftës politike këtu në Shqipëri të trashëguar nga e kaluara, mund ta ngushtojnë vetëm gratë dhe vajzat”, tha ai.

Rama gjithashtu tha se është i bindur që nuk do të jetë e largët dita kur sipas tij, Shqipëria do të ketë një grua kryeministre.

“Sot kuvendi drejtohet nga një grua socialiste, e cila zëvendësoi një tjetëtr grua socialiste. Jam i bindur që nuk është aq e largët dita kur Shqipëria do të ketë edhe gruan e parë kryeministre, dhe as nuk e diskutoj fare se do të jetë socialiste.

Shikoni se si kemi rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në kuvendet vendore në këshillat bashkiakë ku ka qenë PS gjatë gjithë kohës, që ka tërhequr të tjerët dhe kur në mënyrë të vazhdueshme ne e kemi vënë si kusht për të kaluar më tej në miratimet e ligjeve zgjedhore”, u shpreh Rama.

Rama përmbylli fjalimin me një mesazh të qartë: “Kudo do ndizet drita e barazisë gjinore.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë