Politike

Rama: Sulm i organizuar ndaj turizmit. Bashkitë t’i kërkojnë hoteleve të ulin çmimet. Është vetëvrasje, vlonjatët do të bien në gropën e gjoksit të vet

Nga Gazeta 'SI'- Në një takim me drejtuesit e bashkive në vend, kryeministri Edi Rama u ndal tek sektori i turizmit, që prej javësh raportohet se nuk po përjeton më shkëlqimin e një viti më parë.

Kreu i qeverisë tha se këto deklarata "janë sulme të organizuara për të dëmtuar turizmin shqiptar”.

“Kam folur me kryetarët e bashkive, janë të skandalizuar nga video, lajme, komente të rreme e të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Faktet janë në terren. KE nxorri një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të fluksit të turistëve. Sistemet tona kanë të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për sigurinë kibernetike. Ka shumë profile falso që përdoren për të sulmuar”, u shpreh kryeministri duke theksuar se e pavërtetë është edhe narrativa se mungojnë turistët nga Kosova, pasi janë shtuar më 25% nga viti i shkuar.

Rama shprehu rezervat e tij edhe për operatorët turistikë duke thënë se po kryejnë “vetëvrasje” me çmimet e larta. Kryeministri i kërkoi krerëve të bashkive të komunikojmë me pronarët e hoteleve për çmimet, por sigurisht nuk i imponojnë dot ato.

“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë apo imponojmë dot. Në Vlorë Ermal, në Sarandë Olti ku janë dy pikat e një rritje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë dhe kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura. Para se të jetë vonë duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme.”

Rama theksoi po ashtu se ideja që meqë vjet u thamë turistëve që Shqipëria është shumë e lirë, na shtyn t’i hedhim në erë të gjitha idetë e tavanave të çmimeve gjatë këtij sezoni “është shumë e çmendur”.

Kryeministri u ndal në veçanti te ajo që po ndodh me çmimet në Vlorë, duke thënë se vlonjatëve iu ka dalë syri dhe nami, ndaj me këtë strategji që po ndjekin do të bien në gropën e gjoksit të tyre.

“Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, janë stabël. Vlonjatët janë molla e këtij sherri sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë çmimet në këtë far feje. Nuk më vjen keq për ta por është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur sapo kemi hyrë në Champions League-n e turizmit të Mesdheut. Më mirë syri sesa nami. Vlonjatëve ju kanë dalë edhe sytë edhe nami dhe ju kanë dalë edhe trutë nga vendi atyre që kanë bërë ato hotelet. Duhet të zbresim pak me këmbë në tokë, nuk ua thua dot vlonjatëve, por të paktën të zbresim në kat të dytë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë