Politike

Rama: SPAK-u vullnet i Partisë Socialiste, Amerika i ka tërhequr prokurorët

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama përsëdyti se ndonëse është Amerika ajo që e solli SPAK-un në Shqipëri, tashmë ajo nuk ka më asnjë ndikim në këtë institucion.

Të njëjtin reagim ai pati dhe disa ditë më parë, kur duke nënkuptuar fondet, ai theksoi se “Nëse SPAK-un do e kishte sjellë Amerika, tani që Amerika është tërhequr nga kjo punë, do ta kishte marrë me vete në Amerikë”.

Pas ngrirjes së përkohshme të fondeve amerikane në institucionet shqiptare, SPAK ka deklaruar se nuk është prekur nga ky vendim, pasi instiutucioni nuk financohet nga SHBA-të por nga buxheti i shtetit shqiptar.

Ndonëse SPAK ka theksuar dy herë se fondet e vetme amerikane nga të cilat përfiton struktura antikorrupsion janë përmes misioneve të huaja dhe nga trajnimet, Rama tha se Amerika i ka tërhequr prokurorët.

“SPAK-un e solli Amerika, e mban Amerika, se është Amerika që do i fusë të gjithë këta në burg, se Amerika, Amerika. Tani, Amerika nuk është më, sa për dijeni! Amerika i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK-un, hynin e dilnin në mëngjes e mbasdite te stacioni i trenit, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika dhe për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona pavarësisht gjërave që kanë ndodhur ose s’kanë ndodhur keni dëgjuar ndonjë deklaratë të ambasadës amerikane për SPAK-un, apo drejtësinë?”, pyeti Kryeministri.

Rama mandej solli në vëmendje faktin se nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e ambasadës së SHBA në Tiranë lidhur me deklaratat e tij për SPAK që u komentuan si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, çka sipas tij lidhet me faktin se SHBA ka ndryshuar qasje.

 “BE bëri një deklaratë për presione ose ndërhyrje, ato që thashë, do i them prapë dhe nuk u heq asnjë presje sepse bëhet fjalë për një institucion që janë ‘baby institucion’ por që të rrime te thelbi. Kush e mban e kush e mbron SPAK?”, pyeti ai ndërsa fill pas kësaj e drejtoi narrativën tek fakti që referuar tij, ky institucion është krijuar nga vullneti politik i Partisë Socialiste.

“SPAK është dhe do të jetë aty me mbështetjen e fuqisë së PS. Jemi vullneti i shumicës së popullit shqiptar, populli kërkon që SPAK të jetë aty të fuqizojë veten.

Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK dhe ju e dini shumë mirë çfarë po them, por ama pavarësia nuk mjafton. Kultura jonë në tërësi, SPAK duhet të luftojë me vetveten dhe të ketë parasysh që pavarësia duhet vënë e gjitha në funksion të një drejtësie të drejtë, por ama duke ruajtur të gjitha proncimet e kulturës së bashkëjetesës europiane”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë