Politike

Rama: SPAK nuk është opozita e qeverisë

Nga Gazeta ‘Si’- Pyetja e parë që iu bë kryeministrit Edi Rama në konferencën e fundit për vitin 2025 lidhej me punën e SPAK dhe arrestimet e hetimet të eksponentëve të rëndësishëm në sferën politike.

Rama tha se SPAK-u nuk është opozita e qeverisë por theksoi se është një institucion i krijuar falë vullnetit të Partisë Socialiste.

Rama e konsideroi opozitën si depresive, ndërsa u shpreh se “puna e SPAK është e vetmja pikë referimi e saj për të goditur qeverinë.”

Ai komentoi edhe protestat e saj duke shtuar se i kanë ndarë rrugët, referuar faktit që PS është në qeveri dhe opozita “në rrugë”, ashtu sic iu referua ai.

“Natyrisht, të 700 tenxheret, produktin e gjithë procesit e marrin dhe e ziejnë, gatuajnë 700 lloj gjellërash duke bërë diçka që nuk ndodh këtu për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut, që shurdhon publikun me presion dhe dezinformon publikun thellësisht.

Sa i përket protestave poshtë penxheres, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, unë dhe PS-ja në zyrë, të tjerët në rrugë. Në liritë njerëzore siç e patë, Shqipëria është në vend shumë dinjitoz dhe kjo është pjesë e lirive, s’kam problem unë me këto”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë