Kryeministri Edi Rama shprehet kundër dialogut me PD e LSI, duke theksuar se është i gatshëm të hapë një dialog me studentët, por “jo me ata që kanë shkatërruar vendin”, duke nënkuptuar opozitën, nuk mund t’i japë atij leksione.
Në një intervistë dhënë për gazetën italiane “Il Fatto Quotidiano”, kryeministri thekson se në Shqipëri nuk ka asnjë revoltë dhe kaos të popullit, por është opozita që i fryn këtij zjarri. Ndërsa shprehet se aksioni i opozitës po ndërmerret për faktin se opozita e ka të humbur betejën e ardhshme elektorale të 30 qershorit.
“Nuk ka asnjë kaos dhe nuk ka asnjë revoltë të popullit. Nuk kanë zbritur në shesh jelekverdhët, as sindikatat, as dhe studentët dhe gjithashtu as anarkistët, por opozita parlamentare e cila disa vite më përpara është dërguar në shtëpi nga populli, pasi ka shkatërruar ekonominë dhe ia mori frymën vendin në kënetën e korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë. Jo vetëm që u ndëshkua, por pas katër vitesh kanë pësuar një humbje elektorale akoma më të thellë. Dhe ja ku gjendemi, opozita nuk dëshiron që të përballet në zgjedhjet lokale të qershorit, sepse do të përballet me një tjetër humbje të qartë”, shprehet kryeministri në intervistën.
Ndërsa nuk ka ngurruar që të sulmojë opozitën se këto përpjekje për trazira ndërmerren pikërisht në momentet kyçe të reformës në drejtësi në Shqipëri, duke e akuzuar se po synohen të bllokohen nga minoranca parlamentare.

“Kanë bërë gjithçka për të bllokuar këtë reformë që e kemi ndërmarrë së bashku me Komisionin Europian dhe misionin amerikan që është ajo e Drejtësisë, por nuk ia kanë arritur që të na ndalojnë. Tani është në rrugë e sipër një revolucion i vërtetë të sistemit të vjetër dhe të korruptuar të drejtësisë, nën monitorimin e partnerëve europianë dhe amerikanë. Një Prokurori Speciale Antikorrupsion për funksionarët e lartë do të nisë nga puna, sipas një marrëveshjeje të re kushtetuese të drejtësisë që kemi miratuar. Më shumë se 50 magjistratë dhe gjyqtarë të korruptuar, të lidhur me krimin të këtij Pallati të Drejtësisë prej vitesh janë nxjerrë jashtë sistemit falë procesit të Vettingut. Edhe qindra të tjerë janë në listë për t’u shqyrtuar. Dhe e gjithë kjo në prezencën, vëzhgimin e ekipi të paanshëm të përbërë nga ekspertët ndërkombëtarë. Imagjinoni nëse nuk ka lëvizje të forta të klasave të caktuara të të vjetërve për t’u rebeluar kundër kësaj qeverie”, thekson kryeministri.
Ai hedh poshtë akuzat për korrupsion nga opozita, duke shtuar se “çfarë mund të bëjnë tjetër në situatën e vështirë në të cilën ndodhen? Njerëzit nuk i ndjekin nga pas dhe frika e drejtësisë i përndjek”.
Rama gjithashtu mohoi edhe faktin se kryebashkiakët e zgjedhur nga radhët e PS-së kanë probleme me drejtësinë duke theksuar se vetëm një që kishte problem, duke nënkuptuar Elvis Roshin u largua.
“Sot nuk ka asnjë kryetar të bashkive tona nën hetim. A e shikoni se sesi gënjeshtrat dhe shpifjet bëjnë xhiron e botës? “Nuk më ka pëlqyer që të flas në gjuhë të huaj për kundërshtarët e mi politik, por atë çfarë i bënë vendit këtë javën e fundit, duke dhuruar imazhe të dhunës mbi institucionet, është e papranueshme”, vijon më tej kryeministri.
Sa i përket faktit se sa përgjegjës ndjehet faktit që dy ish-ministra të Brendshëm janë hetuar, si Sajmir Tahiri apo Fatmir Xhafa, kryeministrit i shmanget kësaj pyetjeje duke shtuar se “I pari u akuzua mbi bazën e përgjimeve në mes dy trafikantëve në gjyq në Catania.
Edhe pse agresioni ngjau keq, unë kam kërkuar përjashtimin e tij nga grupi parlamentar dhe nga të gjitha rolet në parti. Mbi vëllanë e ministrit, ndërkohë, rëndonte një dënim në Itali, shumë kohë më parë, por që asnjëherë nuk u krye sepse shteti italian nuk kishte kërkuar ekstradimin”, deklaron Rama.
Sa i përket betejës me studentët se kush ishte fitimtari, kryesocialisti thekson se “Unë nuk kam dashur kurrë të fitoj mbi njerëzit, por gjithmonë kam dashur të bëj më të mirën për njerëzit dhe t’i dëgjoj ata. Studentët e dinë këtë dhe ka qenë një moment me intensitet të madh, por edhe një moment i bukur i demokracisë sonë ende të re dhe të brishtë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




