Politike

Rama shokon socialistët e Shkodrës

Kryesocialisti Edi Rama, si drejtues i PS-së pë rajonin e Veriut ka mbledhur të gjithë deputetët e kësaj zone, drejtuesit politik dhe të strukturave socialiste të qarqeve Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës. Takimi i zhvilluar në Shëngjin të Lezhës ka qenë tepër i fortë dhe Rama ka folur me tone teje kritike sa i përket situatës në zonën e Shkodrës, ku situata është tejet e nxehtë pas largimit të Valdrin Pjetrit, kryebashkiaku që dha dorëheqjen, i cili njëherësh u caktua edhe si drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës.
Sa i përket Pjetrit, Rama ka shprehur pamundësinë e verifikimit të figurës së kandidatëve, duke paralajmëruar edhe ndryshimin e ligjit të Dekriminalizimit, duke ndryshuar edhe afatet e paraqitjes së dokumenteve së kandidatëve për zgjedhjeve lokale apo dhe të përgjithshme.
Kryesocialisti i ka cilësuar si “mollë të kalbura” këta të zgjedhur, duke u shprehur se është detyra e PS-së që t’i pastrojë ato.
Gjithashtu mësohet se Rama do të thërrasë të mërkurën, Kryesinë e PS-së, ku në rendin e ditës do të jetë cështja e Shkodrës dhe zgjedhja e drejtuesit politik të këtij qarku. Në Asamblenë e PS-së të pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Rama shkarkoi deputetin Ditmir Bushati nga ky post, duke caktuar Valdrin Pjetrin edhe si të deleguar të PS-së të qarkut të Shkodrës. Nuk dihet ende emri që do të pasojë Pjetrin, por Rama ndërkohë duket se gjendet përpara një zgjidhjeje të vështirë, për shkak se mund të përcaktojë ndonjë deputet si drejtues, ku në listën mund të Senida Mesi, apo Luan Harusha, ose ndoshta mund të preferojë të importojë ndonjë ministër si të deleguar të PS-së. Kryeministri ka kërkuar caktim të sa më shumë grave në postet drejtuese.
Në analizën e punës, Rama ka shfaqur pakënaqësinë për drejtorët e drejtorie rajonale të këtij qyteti, duke theksuar se do të ketë largime masive, por edhe në bashkinë e Shkodrës. Rama ka paralajmëruar shkarkimin e këtyrë drejtorëve rajonalë që janë në varësi të ministrive, por edhe atyre në nivel lokal. Për këtë kryesocialisti ka caktuar deputetin Luan Harusha që të ndjekë një proces të tillë. Kryeministri ka paralajmëruar një fazë të re verifikimi të punës së strukturave të IKMT, bashkive dhe policisë në gjithë vijën bregdetare në lidhje me ndërtimet e paligjshme.
Në mbledhjen e veriut janë trajtuar edhe çështje të brendshme të organizimit të PS ku Taulant Balla ka kërkuar që regjistri elektronik i anëtarësisë të realizohet deri ne 5 shtator. Balla ka kërkuar më tej që kryetarët e organizatave socialiste të zgjidhen deri në 16 tetor në një proces ku do të përfshihen njerëz me integritet si mësues dhe infermierë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë