Nga Gazeta ‘Si’- Pas konferencës së përbashkët me komisioneren e BE për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministri Edi Rama u ndal para pyetjeve të gazetarëve për të folur mbi rastin e Belinda Ballukut.
Rama theksoi se qeveria e tij është e përkushtuar të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit, edhe kur kjo mund të duket si një padrejtësi.
“Ta mbrojmë pavarësinë e drejtësisë edhe kur rëndon mbi ne në formën e një padrejtësie sipas nesh, që nuk ka të ngjashme në Europë, dhe të respektojmë kufirin tonë pa hyrë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur. Nga ana tjetër, të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre.”
Ai nënvizoi se qëndrimi i tij është garantimi i drejtësisë së pavarur dhe respektimi i kufijve të pushteteve.
“Është një pushtet i ri, i ndërtuar mbi një të kaluar që nuk e ndihmon drejtësinë e pavarur. Aftësitë e prokurorëve dhe gjykatësve janë pjesë e rëndësishme që duhen forcuar, dhe kjo kërkon durim dhe vendosmëri. Sa të jem unë këtu, nuk do të shihni luftëra me drejtësinë apo akuza. Por ka një kufi, kufirin kushtetues mes pushteteve të pavarura, dhe nëse lejojmë shkeljen e tij, kemi humbur diçka themelore për rendin kushtetues të republikës”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



