Nga takimi në Gjirokastër me strukturat hoteliere, ndërsa bënte thirrje për moslargimin jashtë, Rama tha se fermerët që punojnë dhe kanë kuptuar se çfarë do tregu, janë të suksesshëm.
“Turizmi është eksport dhe ti e sjell blerësin tek ti. Nuk del ti të gjesh blerës rrugëve. Për të investuar me një sipërmarrje bujqësore të duhen sasira, pika grumbullimi, bashkime me tjerët. Kurse kush sot rri individualisht akoma dhe thotë : "shteti,shteti, është i destinuar të mbijetojë deri në falimentim".
Ai përmendi faktin që shumica e Shqipërisë punon sepse po të ishte e kundërta ‘ne nuk do kishim sot dyfishin e tokës bujqësore që punohet’ duke kundërshtuar kështu ekspertët e bujqësisë të cilët kanë thënë shpesh me shqetësim se sipërfaqet e mbjella në serat e Myzeqesë kanë rënë me mbi 25%.
Luhatje e prodhimit kjo, sipas të cilëve, është sinjalizuesi më i qartë i çrregullimit të ekonomisë vendase dhe trajektores së krizës ku ka hyrë bujqësia.
“Nuk do kishim sot rritje të përvitshme të eksporteve bujqësore në vende të BE, rritje në volum edhe në para patjetër. Nuk do kishim sot raportin 1 me 3 të eksporteve me importet po do e kishim akoma 1 me 7 siç ishtë më parë. Sepse edhe tregu i brendshëm është shumë më tepër i dominuar nga produktet shqiptare”.
Në vijim të mendimit të tij, Rama shtoi se sot Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumojmë.
“E dalin thonë nuk ka më lopë, nuk ka më dhi, nuk ka më dele. Po mirë këtë qumështin mushkat e bëjnë apo gomerët? Dhe me të gjitha këto dua të them që provat që këtu bëhet, i kemi”, tha Rama.
Ndërkohë, referuar shifrave zyrtare të INSTAT, pesë vitet e fundit numri i krerëve të blegtorisë ka rënë ndjeshëm. Konkretisht, në 2017 në vend numëroheshin 349 mijë lopë ndërsa në fund të vitit të shkuar numri i tyre është pakësuar në 71 mijë.
Për vitin 2021, importet e qumështit janë 8% më të larta se periudha para krizës nga Covid-19.
Sipas të dhënave nga INSTAT, 56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia, me 71% më shumë se në 2020-n.
Për kompanitë përpunuese, ndryshimet fiskale kanë krijuar pasiguri në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, duke favorizuar importin e produkteve të rajonit.
Rama gjithashtu përmendi me sukses edhe rastin e qershive të Dibrës.
“Nxjerrin mollët dhe i hedhin në rrugë dhe thonë shteti, po pse atje në Dibër mollët shiten në kategorinë më të shtrenjtë në eksport? Pse qershitë në Dibër janë full-eksport ndërsa poshtë atje që i kemi parë në televizor i hedhin në kanal, pse? Sepse në Dibër kanë kuptuar që nuk mjafton të prodhosh gjënë që ke prej vitesh dhe të ta blejnë, po do shohësh të prodhosh gjënë që blihet. Dhe sot bëjnë sukses”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.