Kryeministri Edi Rama pa nga afër zonat e përmbytura në Lezhë për të vënë më shumë në dukje faktin se situata sot është shumë herë më e qetë sesa në janarin e vitit 2010, ku gjithçka u përmbyt dhe dëmet materiale ishin të mëdha.
Ai u kujdes të nënvizonte se megjithëse bilanci i reshjeve të këtyre ditëve është dy herë më i lartë se janari i atij viti,” puna e bërë vit pas viti për zhbllokimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese, si dhe për ngritjen dhe nivelimin e argjinaturave, ka dhënë frytet e veta, duke minimizuar ndjeshëm dëmet”.
“Sikur mos të kishit bërë gjithë atë punë me infrastrukturën e kullimit, këtu do ishin mijëra familje – nuk do të ishin 40 – siç ndodhi në përmbytjen e 2010-ës.
Mbrëmë pashë të gjitha të dhënat metereologjike, fola edhe për kaskadën dhe pashë që niveli i reshjeve është jo pak, por dy herë më i madh se niveli i reshjeve në 2010-n, që ishte i madh, por aty u përzie infrastruktura komplet e bllokuar e kullimit dhe menaxhimi harbut dhe kriminal i kaskadës dhe u përmbyt gjithë dynjaja.
Në këtë aspekt, gjëja që është me rëndësi është që kur vjen një intensitet i tillë reshjesh, asnjë vend, as Gjermania, as Hungaria para ca vitesh, as Parisi, nuk ka çfarë i bën, ama testi është sa shpejt tërhiqet uji. Në ndërkohë, në këtë rast, gjëja më e rëndësishme është që janë mbrojtur banesat, janë mbrojtur bizneset dhe faktikisht, numrat shumë të vegjël dhe sigurisht me këta numra do të merremi. Sigurisht që 40 familje që evakuohen është një numër shumë i vogël, por në 2010-ën u mbushën konviktet, palestrat dhe shtëpitë e kushërinjve me njerëz, ngordhën me mijëra bagëti dhe u bë hataja”, tha Rama. Gjatë inspektimit të disa zonave, Rama kujtoi se: ”Kur erdhëm atëherë këtu kishte mitingje me njerëz të mbuluar me baltë që nuk dinin ku të shkonin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




