Politike

Rama reagon sërish për vrasjen e Egli Progës: Nuk ka kontradiktë, vetëdorëzimi i autorit ndodhi si pasojë e punës së policisë

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi rastin e vrasjes së Egli Progës në Pogradec, ndërsa thekson se nuk ka asnjë kontradiktë në deklaratat e policisë lidhur me kapjen e autorit të vrasjes.

Sipas Ramës, autori Denis Meçe u vetëdorëzua si pasojë e punës së policisë. Më tej shton se urgjenca i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse për të kuptuar se kur mbërriti në vendngjarje momentin e vrasjes.

“Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti, se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës qysh në krye të herës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik”, shkruan Rama në X.

Reagimi i plotë

Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë, e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!

Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti, se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës qysh në krye të herës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.

Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit dhe të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve, e jo sajesave të njëri-tjetrit.

Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e deri edhe sekondat e thirrjeve dhe veprimeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë ku gjithkush mund të shohë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë, të cilat maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë