Politike

Rama: Qytetarët nuk iu përgjigjën protestës së PD-së sepse siguria e fëmijëve s’njeh kah politik! TikTok mbyllet për 10-15 ditë

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama, komentoi nga Fieri protestën e opozitës kundër mbylljes së TikTok, duke ritheksuar se bllokimi është vendimi i duhur.

Rama tha se protesta e opozitës nuk u mbështet pasi “siguria e fëmijëve nuk është punë bindjesh, e majtë e djathtë”.

“Thirrjes së palës tjetër për të bërë protesta, nuk iu përgjigjën. Sepse kur vjen puna te interesi i drejtpërdrejtë i shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve, aty nuk ka të majtë dhe të djathtë, nuk ka më pëlqen apo s’më pëlqen kush e ka këtë mendim, por thotë se ky është vendimi i duhur. E njëjta gjë duhet parasysh në 11 maj”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai tha se në platformën TikTok do të hiqet përfundimisht brenda 2 javëve.

“Teknikisht nuk është si mbyllje dritash. Brenda 10-15 ditësh normalisht do të jetë blackout”, tha Rama.

Rama ritheksoi se Shqipëria s’mund të humbasë “trenin” për në BE.

“Ne nuk mund ta humbëm trenin. Çdo minutë është e rëndësishme. Kini parasysh që Serbia negocion prej vitit 2014, Mali i Zi negocion prej shumë vitesh, Maqedonia e Veriut ka qenë para nesh kandidate, ne negociojmë prej vitit të shkuar. Dhe bashkë me Malin e Zi, jemi në një kontratë me BE, për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Është koha më e shkurtër dhe këtë e ka sjellë përputhja gjeopolitike e rrethanave tona me rrethanat e tyre. Ata dua që ne të bëhemi anëtarë të BE dhe të bëhemi tani. Në këtë ngut të tyre, është dhe ky sensi i urgjencës i krijuar nga situata gjeopolitike. Për të bërë këtë ama, duhet të bëjmë negocioatat, që janë detyra shumë të ngatërruara dhe shumë voluminoze”, tha kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë