Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i SPAK Altin Dumani, në atë që u duk si një përgjigje për kryeministrin Edi Rama i cili e konsideroi ‘një lajthitje’ survejimin e partive politike, deklaroi se ata duhet të vazhdojnë normalitetin e tyre sa kohë që nuk janë në shkelje me ligjin dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore e kushtetuese.
“Kemi bashkëpunim shumë të mirë me zyrën e prokurorit të përgjithshme për krimin zgjedhor, kemi rënë dakord duke përcaktuar edhe mënyrën konkrete për trajtimin e rasteve sipas kompetencave”, u shpreh ai.
Më tej shprehu domosdoshmërinë e hetimit të këtyre krimeve elektorale.
“Zgjedhjet lidhën pazgjidhshmërisht me shtetin e së drejtës”, shton kreu i SPAK.
Sakaq, Dumani sqaroi dhe se ku do të përqendrohen hetimet e SPAK dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
“SPAK-u ka hartuar strategji të hetojë veprat penale gjatë zgjedhjeve të 2025-ës. Më duhet të nënvizoj diçka, është detyrim ligjor që parashikohet në legjislacion. Kuvendi rekomandoi që SPAK-u të ketë qasje proaktive të hetojë krimet zgjedhore veçanërisht fakteve të bëra publike, të nisë hetime. Në përgjigje të kërkesës së Kuvendit, SPAK-u hartoi planin e masave, grupet në terren do të veprojnë duke bashkëpunuar me KQZ-në, Policinë e Shtetit etj. Hetimi i veprave penale do të zhvillohet në zgjedhje pa ndikim politik”, tha Dumani.
Dumani theksoi edhe një herë vënien në dispozicion të ligjit të hetimeve dhe mosreshtimin në asnjë krah politik.
“Hetimi do të kryhet në dispozicion të ligjit, as nuk jemi anë e asnjë partie politike.”
SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme janë të angazhuar të kenë një bashkëpunim të dedikuar si dhe kanë hartuar strategjinë për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Qëllimi është hetimi i autorëve që prekin zgjedhjet, të goditet krimi zgjedhor, të ndalohet manipulimi i votës dhe hetohet ai që tenton të deformojë vullnetin e qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




