Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama në një diskutim me sipërmarrësit shqiptar preku të gjitha fushat ekonomike dhe u ndal më gjatë tek ndërtimi.
Me një gjuhë të ashpër, kryeministri shqiptar i pyeti ndërtuesit se pse apartamentet shiten shtrenjtë dhe deklarohen me një shifër shumë më të ulët.
Kreu i qeverisë tha se e ka diskutuar me Bashkinë e Tiranës që ndërtuesit të paguajnë taksën aty ku ndërtojnë dhe jo në vend tjetër.
“Ju të shisni apartamente me 2 mijë, 3, 4, 5 6, 8 mijë euro dhe të deklaroni çmime që janë larg të vërtetës, nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës nuk janë arbitrare, por në bazë të tregut. Ju doni të fitoni sa më shumë. Mos ta dëgjojmë më historinë e vendosjes në një nivel të arsyeshëm sepse nuk është akoma maksimumi që duhet vendosur por në një nivel të arsyeshëm kur ti shkon deklaron shitjen sepse kur ti gënjen, shteti ka detyrë të thotë këtu nuk është kaq. Është bërë një kohë e gjatë, çmimet rriten çdo javë. Është shenjë e mirë në një aspekt për rritjen e vlerës së pasurisë, nga ana tjetër duhet të përfitojnë të gjithë. Të duket shumë 3% kontribut, e ke shumë gabim. Po të marr strofullën e kapitalizmit, New York ku nuk ndërton dot një godinë ku t’i shesësh të gjitha apartamentet. Thotë do të shesësh kaq, kaq do japësh me qira. S’mund të japësh sa të duash ti. Askush nuk ju detyron të ndërtoni me zor, sepse ju keni interes dhe fitoni shumë dhe bravo ju qoftë. E kam folur me Bashkinë e Tiranës 3% për strehimin social të jepet aty ku jetoni. Unë thashë pse s’na e merrni 3% te blloku, por te Astiri, ju thoni fare, kjo nuk diskutohet”, tha kryeministri Rama.
Ai shtoi se po bëhet një analizë për përmirësimin e procesit të ndërtimit dhe lejeve, sidomos për subjektet turistike, që kanë probleme me pronësinë.
Komentet e Ramës pas letrës që Shoqata e Ndërtuesve i kishte nisur qeverisë për heqjen e taksës së strehimit social.
Ndërkohë Kryeministri përmendi dhe se vitin e ardhshëm, hotelet do të kenë një çmim reference, pasi po ashtu deklarojnë të ardhura më të ulëta nga se fitojnë realisht.
Kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, pjesë e takimit, shtroi një problematikë shqetësuese nga bizneset e karburanteve, të cilat sipas tij po vidhen.
“Bizneset ankohen se kanë vjedhje të mëdha. Për naftën dhe benzinën vjedhjet shkojnë deri në 4-5% të shitjes, ndërsa për gazin deri në 10%. Përveç çmimit të lartë dhe cilësisë së keqe, qytetarët paguajnë edhe vjedhjet. Kjo ka ardhur që pas koncesionit në këtë sektor”, tha Buxhuku.
Ai ripërsëriti dhe kërkesën e hershme të bizneseve, për ndryshimin e masës së energjisë që sipërmarrjet mund të vetëprodhojnë me panele.
“Kemi një problematikë të madhe për ndërtimin e paneleve diellore nga industritë. Është kufizim i madhe me VKM për 0.5 megavat. Unë mendoj se është procedurë penguese, u ngrit para një viti. Mendoj që një pengesë e tillë mund të tejkalohet”, përfundoi kreu i Konfindustria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.