Politike

Rama: Pse do fitoj mandatin e tretë, përballë meje alternativa “zoti na ruajt”

Pyetja e fundit e konferencës për shtyp drejtuar Edi Ramës ishte se sa i sigurt ndihej ai nëse do të ishte sërish kryeministër një vit më pas në këtë njëjtën kohë.

Rama tha se nuk ka asnjë alternativë tjetër veç PS-së, duke u shprehur besimplotë se do të jetë sërish ai kryeministër.

“Besoj që kështu do të ndodhë, nuk ka të bëjë thjesht me  mua por me të gjithë ne, sepse Shqipëria nuk mund të kthehet pas, Shqipëria ka kaluar dy sprova të rënda me të cilat është ende në proces, por besoj që më e keqja është pas krahëve edhe pse nuk e dimë se kur mbaron lufta me Covid, besoj se viti tjetër do të jetë një vit duke u lehtësuar edhe për shkak të vaksinës dhe të mësuarit me një normalitet të ri ndërkohe që janë në proces rindërtimet e lagjeve te reja edhe ajo sfide tjetër besoj që mund të konsiderohet e kaluar në pjesën me te keqe të saj por për momentin janë në shtëpi me qira dhe pastaj janë shumë gjera të reja për tu bërë…”, tha Rama duke prekur disa prej tyre.

“Kush është alternativa zoti na ruajt, Meta, Berisha, Monika, Nard Ndoka, Fatmir Mediu shto ujë e shto miell deri tek tymi i doganës… realisht dhe objektivisht është e pamendueshme që të jenë ata…”, shtoi Rama, duke u bazuar edhe në rezultatet e vitit të fundit të qeverisë, te cilat i preku gjatë konferencës për shtyp.

Sipas kryeministrit, nëse shohim bilancin e deritanishëm, “ka arsye për të qenë vërtet optimist për të nesërmen”. Ai u fokusua tek reforma në drejtësi dhe ekonomia.

“Deri më sot në total janë rivlerësuar 322 individë nga të cilët më shumë janë shkarkuar e larguar nga sistemi se sa janë konfirmuar, plot 128 individë të shkarkuar drejtpërdrejt dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces me siguri me vetëdijen e pamundësisë për ta kaluar filtrin. Vetëm 118 janë konfirmuar.

Shifër domethënëse për të pasur një pamje të thellësisë të pastrimit të sistemit. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Cfarë ndodh me të larguarit? Kaq e thjeshtë qenka, një pushim nga puna?

Jo se ndërkohë paralelisht me pastrimin ka vijuar e po konsolidohet procesi i ngritjes së institucioneve  të reja të drejtësisë e ata që s’kanë mundur të justifikojnë pasuri marramendëse në shumë raste apo pasuri shumë më tepër mbi mundësitë legale të tyre në pjesën më të madhe të rasteve do përgjigjen para drejtësisë”, tha Rama.

Kryeministri u pyet edhe për emërimin e fundit të Sonila Bejtjas në Gjykatën Kushtetuese, por nuk beri komente, veçse vlerësoi ngritjen e gjykatës.

Sa i përket ekonomisë, Rama se “BB e parashikon 5 për qind rritjen ekonomike vitin e ardhshëm, 1.5 më shumë se mesatarja e rajonit”, ndërsa “FMN e parashikon 6 për qind”.

“Padiskutim që ekonomia jonë ka një bazë të qenësishme për t’u rritur dhe vazhduar të rritet pas kësaj goditje. Për t’u kthyer te aspekti i të prekurve direkt, dua të theksoj se sipas OBSH-së në Shqipëri kanë humbur jetën mesatarisht 405 për 1 milionë banorë, në Bosnje dhe Maqedoni është dy herë më e lartë, mbi 1200.

Ne jemi në një nivel të pranueshëm dhe të arsyeshëm për të qenë të motivuar për të vazhduar deri në fund për t’ia dalë”, theksoi ai.

Më herët kreu i qeverisë u ndal te punonjësit e prekur nga pandemia e Covid-19 duke theksuar se 20 mijë prej tyre janë rikthyer në vendin e punës.

“Një tjetër e dhënë që i referohet regjistrit të të punësuarve, në Shqipëri në momentin e goditjes së madhe mars-qershor rezultuan të papunë menjëherë 33 mijë persona dhe sot janë më shumë 20 mijë të rikthyer në vendin e punës. Ne kemi një program të veçantë për nxitjen dhe mbështetjen për kthimin në punë të asaj pjese të mbetur që humbi vendin e punës për shkak të pandemisë.

Kemi dyfishuar pagesën mujore të papunësisë, kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë në fuqi deri në fund të luftës me këtë armik të padukshëm, për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike. Kemi fshirë kamatvonesat e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël me një efekt financiar 120 mln euro”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë