Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama tha në takimin me shqiptarët e New York-ut se pa vendosmërinë e PS-së nuk do të bëhej reforma në drejtësi, për të ngritur një drejtësi të pavarur që po godet edhe vetë socialistët, partinë në pushtet madje deri në nivelet e larta të saj.
“Ju mbase edhe më shumë se shqiptarët në Shqipëri, i ndiqni me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, edhe sa shumë përpjekje bëhen për tiu bindur se reformën në drejtësi e bëri Amerika. Dhe goditjet e shumëpritura të të korruptuarve të paprekshëm po i bën Amerika. Amerika aty ishte edhe para ardhjes sonë në qeveri. Si ka mundësi që nuk e solli më parë Amerika këtë peshqesh?”, tha Rama, duke shtuar se kundërshtarët e reformës në drejtësi, ata që sot ulërijnë nga dhimbjet e drejtësisë kundër organeve të drejtësisë, “erdhën e ngritën dorën për të miratuar reformën por kokën e mbanin ulur dhe deri sot është përpjekja historike që po i jep frymën e vet konkrete e nuk do të ndodhte pa vullnetin e PS-së”.
Pa mbështetjen e aleatëve tanë nuk do ia dilnim dot të nënshtronim rezistencën e jashtëzakonshme të forcave që nuk e donin reformën në drejtësi ,tha Rama, duke shtuar se “të mendosh se kjo reformë do të bëhej ndonjëherë realitet dhe një parti në pushtet në Shqipëri do të goditej edhe vetë nga një drejtësi e pavarur siç po goditet edhe sot PS deri në nivelet e larta nëse ne nuk do ta kishim këtë vullnet do të thotë të merresh me gishtin kur gishti tregon hënën. Kjo është e vërteta dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.