Politike

Rama: Privati të rrisë pagat që të rinjtë të mos ikin. Punë ka, por tani s’ka as punëtorë, jo vetëm profesionistë

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama i dedikoi fjalën e tij në aktivitetin e mbajtur sot në Tiranë (13 mars) krizës së kapitalit njerëzor në Shqipëri.

Kryeministri iu drejtua sipërmarrjeve private që të reflektojnë e të mos shtrëngojnë dorën për të punësuarit e tyre, përndryshe gropa që i kanë hapur vetes, nuk do të mbyllet më dhe të rinjtë do të vazhdojnë të largohen drejt vendeve ku paguhen më mirë.

“Sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim dhe duke shtrënguar dorën më shumë se duhet, i kanë lënë të fundit pagat për të punësuarit e vet. I ka hapur vetes një gropë që nëse nuk nxitojnë ta mbyllin do të bëhet e pambyllshme. Humbja e kapitalit njerëzor. Nuk mund të vazhdojnë me paga një pjesë në bankë e një pjesë në dorë. Ajo që po ndjehet sot është vetëm alarmi i fundit, humbja e burimeve njerëzore. jo që deri dje ishte problem, sot do të kthehet në një sëmundje të pashërueshme Tani është koha të bëjmë të pamundurën jo vetëm çka mundemi. Sipërmarrja të bëjë gjithçka të mundet, të formalizohet e të uniformizohet.”, - tha Rama.

Referuar deklaratës së tij disa vite më parë, “punë ka, po s’ka profesionistë”, këtë herë Rama tha se situata është përkeqësuar dhe se tani nuk ka më as punëtorë, jo vetëm profesionistë.

Duke treguar se qëllimi i qeverisë është rritja e mëtejshme e pagës minimale, kreu i qeverisë ftoi të rinjtë dhe profesionistët të qëndrojnë dhe punojnë në Shqipëri, sidomos në Tiranë.

“Në kushtet ku ne po rritemi në çdo fushë, rritje si askush tjetër si në turizëm. Kjo rritje kyçe duhet të mbështetet nga një prodhim agrotektural, bujqësi etj. Kjo kërkon shumë gjëra por kërkon më së tepërmi njerëz që dinë shumë. Edhe profesione të tjera ka të nevojshme. Dhe ne po u themi më të mirëve, mjafton të vini në punë aftësitë tuaja dhe ju e keni vendin. Ne duam që t’i sjellim të gjitha këto në një piramidë shtetërore të pagave.

Natyrisht bashkia e Tiranës është sektor prioritet i veçantë. Të kesh qenë kryebashiak dhe të shohësh zhvillimin thua me vete ‘Paç fatin e Lali Erit’.  Përgëzoj edhe Erionin për drejtimin, punën dhe për optimizmin e tij të pashërueshëm.”- tha Rama për kryebashkiakun, i cili kishte organizuar aktivtietin “Strategjia e Zhvillimit për Tiranën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë