Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama është pritur me ceremoni zyrtare nga homologia e tij Giorgia Meloni në Itali.
Takimi i kryeministrit Rama dhe homologes italiane Meloni në Palazzo Chigi, u pasua nga një takim i përbashkët mes dy delegacioneve respektive.
Miqësia tradicionale Shqipëri-Itali dhe vullneti për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, u rikonfirmua edhe në këtë takim.
Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tonë.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi.
Sa i përket integrimit europian të Shqipërisë, në takim u theksua se Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin, në të gjitha etapat e tij, ashtu si deri më tani.
Më herët gjatë ditës së sotme, Rama u takua me zv/Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Italisë Antonio Tajani si dhe mori pjesë në takimin e Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali.
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin shqiptar, tha se të dyja palët kanë rënë dakord për disa linja veprimit në tre çështje të mëdha, infrastruktura, energjia dhe sektori bujqësor dhe agroushqimor.
Një çështje kryesore e trajtuar në vizitën në Itali midis dy qeverive ishte dhe ajo e emigracionit klandestin.
“Për çështjen e emigracionit kemi një dëshirë të madhe për të bashkëpunuar. Së bashku folëm me Ministrin e Jashtëm gjatë mbledhjes së Ballkanit Perëndimor që Italia ka organizuar, sepse rruga e Ballkanit duhet mbajtur nën kontroll dhe nuk duhet të rritet prania e emigracionit klandestin. Pra bashkëpunim i përkryer. Me Shqipërinë po punojmë shumë mirë në bashkëpunim me Guardia di Finanzën dhe forcat e rendit të Shqipërisë dhe duhet të përforcojmë këtë lloj bashkëpunimi duke patur parasysh që nuk mjafton një ose dy, tre vende. Duhet një veprim i fortë i Europës dhe OKB-së”, tha Tajani në fjalën e tij duke treguar dhe mbështetjen për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit në BE.

Kryeministri Edi Rama rikujtoi në konferencë se plani për njohjen e pensioneve të shqiptarëve në Itali është drejt finalizimit.
Ai tregoi se investimet që do të bëhen në Shqipëri me ndihmë të Italisë prekin infrastrukturën, energjinë dhe specifikisht projektet e Korridorit 8, të financuara pjesërisht nga shteti fqinj.
Rama tha se është folur edhe për një linjë interkonjeksioni Itali-Shqipëri.
“Kemi prekur edhe sektorin e ushqimit, duke sjellë për ju një fakt që vetëm me një nxitje të vitit të fundit nga ana e Ministrisë së Bujqësisë së Italisë dhe personalisht ministrit Lollobrigida, kemi arritur që të fillojmë zbërthimin e një potenciali të madh dhe shembulli i thjeshtë dhe kuptimplotë është se vetëm vitin e fundit, pra deri në gusht, eksporti i vajti të ullirit nga Shqipëria në Itali është rritur me 50 herë” tha kryeministri shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.