Politike

Manastirliu drejton fushatën në Tiranë, Spiropali në bashkitë e tjera/ Rama ndan detyrat në Kryesi, lë Veliajn koordinator të qarkut, por pa territor. Triplohet edhe Balla

Nga Gazeta 'SI'- Një ditë pas Asamblesë, në të cilën zgjpdhi drejtuesit politikë, sekretarët dhe kryesinë e re të partisë, Edi Rama nuk ka humbur kohë, por brenda pak orëve ka prezantuar platformën "Deputeti që duam" si edhe ka mbledhur Kryesinë e re.

Natyrisht ajo që kishte më shumë interes ishte mbledhja e Kryesisë e nisur pak më vonë se ora 18:30, dhe që ka përfunduar pas rreth një ore e 30 minuta. Një nga temat kryesore të kësaj mbledhje ishte dhe caktimi i qartë i detyrave për drejtuesit e rinj politikë të Tiranës, 24 orë pasi Rama ua besoi këtë detyrë Elisa Spiropalit, Erion Veliajt, Ogerta Manastirliut.

Nga sa është mësuar nga brenda mbledhjes, Rama i ka dhënë Ogerta Manastirliut detyrën e organizimit dhe drejtimit të strukturave të PS-së në territorin e Bashkisë së Tiranës. Elisa Spiropali do të merret dhe drejtojë fushatën dhe organizimin në bashkitë e tjera të qarkut, ndërsa Erion Veliaj do të koordinojë punën në të gjithë qarkun, por pa patur një territor të tijin të caktuar. Një vendim ky që do të shtojë edhe më shumë aludimet mbi marrëdhënien e Ramës me Veliajn dhe kompetencat apo fuqitë në fushatë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, deri të dielën në mëngjes i plotëfuqishëm politikisht në qark.

Kryeministri Rama mesohet se ka kërkuar angazhim më të madh edhe në takime me diasporën. Krahas Taulant Ballës që do të jetë drejtuesi politik për Diasporën, ne grupin e punes, Rama ka propozuar edhe Romina Kukon dhe Igli Hasanin, aktualisht ministër i Jashtëm.

Mbledhja me dyer të mbyllura zgjati rreth 1 orë, ndërsa në përfundim të saj Rama nuk preferoi të flasë për mediat, por me batuta uroi ditën e parë të shkollës. Mbledhjes së Kryesisë i parapriu një bashkëbisedim me 108 aplikantët e deritanishëm në platformën 'Deputeti që duam'.

Një orë përpara mbledhjes së Kryesisë, Partia Socialiste ka prezantuar platformën "Deputeti që Duam", si fokusi i zgjedhjeve të 2025-s, nga ku do të përzgjidhen dhe disa kandidatë për deputetë.

Në prezantim, kreu i qeverisë Edi Rama tha se platforma është mundësi për këdo që ka ambicie të bëhet pjesë e jetës politike, por theksoi se aty nuk hy në punë "miku".

“Platforma nuk është një instrument që ne e përdorim për herë të parë. Por për herë të parë ne e kemi vendosur në qendër të një procesi, që ndryshe nga hera e parë fillon thuajse një vit para zgjedhjeve dhe afro 9 muaj përpara se sa të regjistrohen kandidatët për deputetë. Ju jeni nga grupi i parë i aplikantëve që jeni këtu, pro që do të zgjerohet me aplikantë të tjerë të cilët duke filluar nga ju, nuk duhet të presin që pasi u bë aplikimi dhe pasi i dhatë në atë aplikim arsyet tuaja, të ndodhë përzgjedhja. Avantazhi i atyre që vijën më parë, është vetëm koha që kanë më shumë në dispozicion për të treguar se sa janë në gjendje të jenë vlerë e shtuar në skuadrën tonë. S’të bën mosha më e re, s’të bën as fakti që ke dëshirë apo që mund të dish të flasësh bukur, apo as fakti që mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka PS. Nuk të bën as lidhja apo lidhjet që mund të kesh me PS. Të gjitha këto janë krejtësisht pamjaftueshme. Vlerë të shtuar të bën çfarë ti je në gjendje të demonstrosh. Duke treguar se je një kandidat apo kandidate që i duhesh skuadrës së PS. Ta demonstrosh këtë cdo ditë. Po përgatisin një udhërrëfyes që mund ta ndiqni sipas dëshirës. Do ju ndjekim me sy në distancë, për të parë se si ju promovoni kandidaturën tuaj duke fuqizuar personin tuaj publik, që sot është një person publik i panjohur dhe që nesër kur të vijë momenti i përzgjedhjes duhet të jetë një person publik i njohur në komunitet, në një rreth të caktuar profesionistësh”, tha kryeministri.

Rama shtoi se se PS sot ka 700 mijë zgjedhës, ndërsa në 2030 synon të jetë partia e 1 milion shqiptarëve aktivë.

"Sot ne nuk matemi ku ishim, matemi ku duam të jemi në 2030. Ndaj na duhet një energji ende më e madhe, një PS që të jetë pasqyra ambicieje jo thjeshtë të vetvetes por të shoqërisë për Shqipërinë. Ne duhet një parti që të jetë një parti pasqyrë e të gjithë forcave të progresit në vend, të mishëruara në fytyrën, mendjen dhe shpitin e të gjithë atyre që janë pjesë e këtyre forcave. Forcave të sipërmarrjes, universitare, të forcave të punës në fshat, të cilat në një pjesë të konsiderueshme janë forca mbështetëse të PS. Zgjedhësit tanë janë mbi 700 mijë, ambicia jonë është që në të synojmë që PS 2030 të jetë partia e 1 milion shqiptarëve aktivë. Jemi gati tu presim krah hapur dhe t’ju ofrojmë drejt destinacionit që mendoni për vetën tuaj. Besoj që në fund të këtij procesi mund të kemi qindra aplikantë. Numri i deputetëve të skuadrës së PS është shumë më i vogël se ky numër. Beteja e pranverës së ardhshme dhe përpjeka për tu ngritur drejt majës së 2030, ka nevojë për më shumë njerëz se grupi parlamentar", tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë