Politike

Rama prezanton Koçiun: Policia ishte kthyer si çeta e ministrit të Brendshëm. S’ka më kryepolic!

Nga Gazeta ‘Si’- Pas betimit të kabinetit të ri qeverisës, kryeministri Edi Rama prezantoi ministren e Brendshme, Albana Koçiu, e para grua në krye të këtij dikasteri. 

Në fjalën e tij, Rama tha se tha se tashmë ky institucion duhet të fokusohet në të gjitha punët e brendshme të vendit dhe jo vetëm te Policia e Shtetit. Ai e bëri të qartë se Ministri i Punëve të Brendshme nuk do të ketë më rolin parësor të ‘kryepolicit’.

“Punët e brendshme nuk janë kurrsesi thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit. Pavarësisht se Policia e Shtetit zë pjesën më të madhe të sferës së punëve të brendshme. Ka ardhur koha që askush të mos vërë në diskutim as faktin tjetër që ligji ynë e thotë në gjithë gjatësinë dhe gjerësinë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Jo vetëm se ligji dhe praktika demokratike e thonë këtë, por mbi të gjitha për një serë nevojash të mëdha serioze të paadresuara prej dekadash ashtu si duhet, ndryshimi radikal i profilit të ministrit të Punëve të Brendshme është pikënisja logjike e ndryshimit përmbajtësor që ministrja Koçiu duhet të sjellë në qasjen e kësaj Ministrie”, tha Rama.

Rama vuri në dukje mungesën e një sistemi funksional të adresave për vendbanimet shqiptare, një problem që vazhdon të jetë i pranishëm edhe pas 35 vitesh transformime demografike dhe fizike. 

Ai përmendi edhe nevojën urgjente për riformatim të shërbimeve zjarrfikëse, të cilat deri më tani kanë mbetur në plan të dytë, ndonëse zjarret e verës së kaluar treguan se kjo është një çështje qendrore që duhet trajtuar me prioritet. 

Mandej kritika pati edhe për mënyrën se si është operuar deri më tani mes Policisë e Ministrisë së Brendshme ku u shpreh se sipas tij Policia ishte si çeta e ministrit të Brendshëm.

“Duke pasur parasysh se çfarë ka kaluar Shqipëria është e natyrshme që policia të ishte për shumë vite si çeta e ministrit të brendshëm, një vend që kishte mbi 100 e kusur vrasje në vit, apo një vend ku ringritja e policisë së shtetit pas asaj katrahure ku ne nisëm punën në 2013, e bënin policinë e shtetit prioritetin e prioriteteve. Tanimë janë pjekur kushtet që të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm, sepse parametrat e rendit publik janë konsoliduar brenda normave, të paktën të gjysmës së poshtme të tabelës së klasifikimit të vendeve të BE”, tha Rama.

Koçiu ka deklaruar se më të në krye, Ministria e Punëve të Brendshme, do të ngrihet në lartësinë e saj.

“Në momentin historik ku ndodhet vendi ynë, pasi Europa nuk është më një vizion por një realitet i prekshëm, ne si ekip, si skuadër do të çojmë përpara punë që kryeministri na ka besuar, që legjislacioni na ka ngarkuar, do të duhet që secili nga ju të marrë angazhimet e nevojshme për të na çuar përpara.

Unë besoj pak se kjo është një ministri që duhet të flasë pak dhe të punojë shumë dhe të flasë puna për ne”, tha Albana Koçiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë