Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ndërsa prezantoi drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, foli edhe për ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj.
Për Karçanajn, e cila ndodhet në arrest shtëpie për abuzime me tendera të zhvilluar nga AKSHI, Rama tha se ndihet i pikëlluar për atë që ajo po kalon për momentin.
Ai u shpreh se beson me gjithë zemër që sipas tij ajo do të dalë e pastër nga procesi i nisur ndaj saj, por theksoi se i takon drejtësisë për ta vendosur këtë.
Megjithatë, Rama theksoi se pavarësisht akuzave, Karçanajt sipas tij nuk mund t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe revolucioni që ka udhëhequr te AKSHI.
“Besoj ndani me mua opinionin që Linda ka qenë gjithmonë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna. Jam i pikëlluar për gjithçka që ajo po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Lindën.
Nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e atyre kompanive të përfshira në një hetim, por unë kam dijeni për faktin që Linda është një nënë e vetme me dy fëmijë. Ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik. Kam dijeni për faktin se me të gjithë partnerët dhe ju e dini që AKSHI ka partnerë të nivelit të lartë pasi janë të mëdhenjtë e teknologjisë, Microsoft, Oracle, unë kam dëgjuar fjalët më entuziaste dhe mbresat më të jashtëzakonshme për ju, për stafin tuaj dhe për Linda Karçanaj.
I them të gjitha këto në respekt të një personi që ndodhet sot në një kalvar nga ku dua të besoj me gjithë zemër që do dalë e pastër, por në të gjitha rastet nuk më takon mua ta them këtë, i takon drejtësisë. Ama kjo nuk do të thotë t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe revolucioni që ka udhëhequr së bashku me të gjithë ju”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje