Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka pritur në takim Kryetarin e Bashkisë së New York-ut, Eric Adams.
Në fjalën e tij gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp, Rama tha se do të flasin për zhvillimin e turizmit dhe linjën e re ajrore New York- Tiranë.
“Më në fund erdhi në Shqipëri për ta vizituar, për të parë nga afër një vend për të cilin ka dëgjuar shumë”, u shpreh fillimisht Rama, duke shtuar me humor ‘se do e prezantojë me Diellën’, ministren me Inteligjencë Artificiale.
Adams tha se ka ardhur për të parë turizmin, duke njoftuar se po bëhen përpjekje për të siguruar një linjë të drejtpërdrejtë fluturimi nga New York në Shqipëri.
“Erdha për të parë një vend për të cilin më kanë folur shumë dhe që ne të ndërtojmë një marrëdhënie që mësojmë nga njëri-tjetri dhe ku nuk ka përçarje”, theksoi Adams, duke hedhur poshtë çdo aludim tjetër për vizitën e tij.
Kujtojmë se Adams, së bashku me një delegacion amerikan, mbërriti mesditën e së martës, 7 tetor, në qytetin e Vlorës. Fillimisht u ndal në vilën qeveritare, ndërsa më pas vizitoi zonën e Orikumit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




