Kryeministri Edi Rama mblodhi kryebashkiakët e vendit për t’u përçuar disa mesazhe të drejtpërdrejta pas arrestimit nga SPAK të kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me tenderat.
Pasi njoftoi shkarkimin si kryebashkiak të Fatos Tushes dhe përjashtimin e tij nga Partia Socialiste, Rama porositi kryebashkiakët e mbledhur.
LEXO EDHE:
- “Me shefin jam unë, për kafe”, kryebashkiaku i Lushnjës, mik me fituesin e tenderit
- Nga kanali vaditës, karburanti dhe shtëpia e fshatarit, abuzimet që fundosën Fatos Tushen
- Tushe me 6 zyrtarë të tjerë lihen në burg, ndërsa 4 në arrest shtëpie
“Ju këshilloj sinqerisht; mos u përzini në proceset e prokurimit publik! Mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do të ketë të gjithë mbështetjen time dhe të Partisë Socialiste kundër kujtdo ndër ju, apo kudo qoftë që do të luajë me zjarrin”, tha Rama.
Rama u lexoi kryebashkiakëve gjetjet e një raporti të Agjencisë së Prokurimit Publik, që u ofron asistencë teknike bashkive për procedurat e tenderimeve. Kryeministri tha se më shumë se gjysma e bashkive nuk kanë reaguar ndaj rekomandimeve të APP.
“APP ka bërë disa rekomandime precize bashkive për tenderat. 52.5 për qind nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proces të rekomandimemve teknike të APP”, tha ai.
Po duke iu referuar të dhënave të APP, Rama tha se në 47 bashki dhe në më shumë se gjysmën e tenderave totalë për 2020, në garë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik.
“Për më shumë se 50 për qind të procedurave nga hetimet e APP, me nismë dhe bazuar në raportet e KLSH, në 2020 ka marrë pjesë në garë vetëm një operator ekonomik, një dhe i vetëm”, vijoi Rama.
Kryeministri tha se qepja e tenderit si kostum me porosi cenon drejtpërdrejtë shkallën dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe të drejtën e konkurrencës. “Është një teknikë grabitqare, e shëmtuar dhe përjashtuese”, deklaroi ai.
Rama tha se me ndryshimet e reja në rregullat e tenderave janë ashpërsuar edhe ndëshkimet për shkelësit.
“Nga dënim me gjobë ne do të kalojmë te denoncimi në SPAK në çdo rast kur dyshimet janë të arsyeshme se bëhet fjalë për tender korruptiv”, vijoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.