Politike

Rama: Politika mbështetëse për punonjësit e sektorit privat me pagë minimale si edhe pensionistët

Në një videomesazh, kryeministri Edi Rama teksa shpjegoi se ka qenë i sëmurë me grip pas disa ditësh mungesë në daljet publike, njoftoi disa politika të reja mbështetëse jo vetëm për pensionistët por dhe për sektorin privat.

Rama tha se në politikat e reja mbështetëse do të përfshihet rritja e pagës minimale për të mbështetur punonjësit e sektorit privat, sidomos ata që punojnë në prodhim që sipas tij meritojnë më shumë. Ndër të tjera përmendi se qeveria do të kujdeset për të rritur pagat për kategori të veçanta burimesh njerëzore dhe të mbështesë me strehim mjekët, ushtarakët e policët që kanë një familje të re.

Rama nuk harroi të përmendte edhe pensionistët duke kujtuar se përfitimet nga taksa e jashtëzakonshme që do t’u vendoset eksportuesve më të mëdhenj të energjisë në pranverë, do të shkojnë për të moshuarit. 

Duke e kthyer në vëmendje ‘Pakon e Madhe’ që ndihmoi grupet në nevojë, pensionistët dhe punonjësit e administratës, Rama thotë se është vënë re rritja e konsumit falë mbështetjes së qeverisë. 

“Na vjen mirë që pakoja e madhe ka lehtësuar ndjeshëm 1 milionë përfituesit e saj dhe vihet re edhe në rritje të kënaqshme të konsumit. Pa diskutim që duhet akoma, sidomos me ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat sidomos ata në prodhim që duhet të paguhen më shumë dhe sa më parë. Së shpejti do t’i diskutojmë dhe vendosim në qeveri e patjetër t’i bëjmë me dije këto politika që e thellojnë më tej profilin e kësaj qeverie të shumicës”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë