Politike

Rama: Po të mos ishin socialistët, ata që uleshin një karrige tutje nga unë s’do dilnin para drejtësisë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama, nga Kuvendi Rinor i PS-së, ripërsëriti se Reforma në Drejtësi është një meritë e socialistëve.

Gjatë fjalës së tij, që u duk se ishte një përgjigje për akuzat e ish-bashkëpunëtorit të tij Arben Ahmetaj, Rama tha pa punën e PS-së, asnjeri i lidhur me pushtetin nuk do të kishte dalë para drejtësisë, përfshirë ata që “ishin me ne”.

“Problemi ynë as këtë herë nuk do të jenë kundërshtarët, por do jetë llumi i kënetës së tyre që këtë herë do të vërshojë edhe më shumë tërbim për të errësuar sa më shumë sy, për të mërzitur sa më shumë zemra dhe për të ftohur ndaj nesh sa më shumë njerëz. Nuk do t’ia dalin, përkundrazi kanë për ta marrë mbrapsht syve siç e meritojnë, por na duhet shumë durim dhe vendosmëri e këmbëngulje deri në fund të këtyre 100 ditëve.

Duke sharë, shpifur, abuzuar, sajuar, fabrikuar, pështyrë, bërtitur, uluritur, ata do t’ju thonë se unë dhe ne, jemi çdo gjë, që në fakt janë ata vetë. Por ju do t’i thoni vetes dhe të tjerëve, kush e bëri më të mirë mund ta bëjë edhe më të mirë akoma, ndërsa kush e la keq, mund ta bëjë simos më keq.

Ata do thonë se ne jemi çetë hajdutësh, sepse ja ky edhe ai që ishin deri dje me ne, madje deri një karrige me tutje nga unë, janë sot në duart e drejtësisë apo janë në kërkim nga drejtësia.

Por ju do ti thoni që po mos të ishim ne, socialistët, që e përdorëm pushtetin tonë për ti dhënë pavarësi drejtësisë sot nuk do kishte asnjë njeri të lidhur me pushtetin politikë të sotëm apo të djeshëm para drejtësisë, siç nuk pati kurrë më parë që nga viti 1912 deri kur ne bëmë Reformën në Drejtësi”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë