Politike

Rama: Po punojmë për kartën elektronike të identitetit

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa foli për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë nga Irani, kryeministri Edi Rama njoftoi se po punohet për kartën elektronike të identitetit.

Sipas tij, karta do jetë në përputhje me parametrat e përcaktuara nga Bashkimi Europian.

“Përveç pasaportës evropiane që është ajo çka ne synojmë përmes anëtarësimit dhe jemi duke punuar është dhe karta elektronike e identitetit që është sipas standardeve dhe parametrave të përcaktuara nga BE. Ne i kemi marrë parametrat dhe jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit europian që do të shërbejë fillimisht si kartë elektronike këtu në Shqipëri”, tha Rama.

Mandej, duke shtuar sipas tij se Shqipëria ka një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Europë, Rama tha se nga sulmi kibernetik i Iranit, të dhënat tona ishin “në fije të perit”.

“Irani nuk është një hacker i lehtë, një nga fuqitë më të mëdha të terrorit digjital. E kemi zmbrapsur sulmin pa dëme të mëdha, dhe dua t’ju informoj se vitin e kaluar kemi pasur 42 sulme serioze.

Në 2023, kemi pasur 63 sulme serioze. Nuk dini se sulmet që zmbrapsen nuk bëjnë lajm. Këtu hyn edhe faktori i tretë që është agjencia për mbrojtjen kibernetike. Mund ta themi me plot gojën se kemi një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Evropë, pa kostot marramendëse të disa më të pasurve. Flasim për 42 sulme të forta, jo ngacmime të përditshme”, tha Rama ndërsa bëri një thirrje për sektorin privat që të mos nënvlerësojë rrezikun që vjen nga terroristët digjitalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë