Kryeministri Edi Rama e pranon mundësinë që kriza e çmimeve të fusë ekonominë shqiptare në recesion këtë vit.
Në një intervistë dhënë për gazetën gjermane ”Frankfurter Rundschau” ai u pyet në lidhje me protestën e fundit të organizuar nga Sali Berisha më 7 korrik. Ish-Kryeministri e thirri këtë protestë kundër rritjes së çmimeve.
“Protestat në Shqipëri nuk ishin të mundura për një kohë të gjatë. Ato janë absolutisht të nevojshme për një demokraci. Nëse edhe Gjermania nuk mund ta mbrojë popullsinë e saj nga inflacioni, çfarë duhet ta bëjë Shqipëria? Ne kemi inflacionin më të ulët në rajon, ndonëse në kurriz të një recesioni”, tha Rama.
Në të njëjtën intervistë, Rama pyetet për largimin e shqiptarëve nga vendi, sfidat e qeverisjes, integrimi në BE, negociatat dhe jetën pas politikës. Në lidhje me largimin e shqiptarëve nga vendi, Rama e cilësoi një fenomen ballkanik dhe ky fenomen ndalet vetëm atëherë kur rajoni të arrijë standardet e jetesës e qeverisjes së Perëndimit.
“Fatkeqësisht, historia është eksporti ynë kryesor dhe kjo nuk është gjë e mirë. Më lejoni të përgjigjem. Ballkani nuk ka qenë kurrë një vend i mërzitshëm. Por ne, Ballkani, duam të bëhemi më te zakonshëm dhe më normal. Po aq të rëndomtë sa Bashkimi Europian. Një vend është i zakonshëm kur gjithçka funksionon në mënyrë eficente si në Gjermani”, thotë ai.
Për integrimin, Rama thotë se durimi i shqiptarëve në këtë proces është i pashtershëm.
“Durimi ynë është i pashtershëm për këtë temë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi mësuar. Shqipëria ka qenë gjithmonë lojë e fuqive të tjera dhe rrallëherë kemi patur mundësi të votojmë për veten tonë. Ne jemi një vend i vogël, kemi vuajtur shumë dhe nuk na kanë lënë të marrim vetë vendime. Tani, për herë të parë, ne kemi një zgjedhje të lirë. Ne jemi evropianë dhe duam të anëtarësohemi në BE, sepse jemi pjesë e kontinentit. Çfarëdo që të duhet, pa marrë parasysh sa kohë duhet, ne po i përmbahemi këtij qëllimi”, u shpreh Kryeministrit.
Kreu i Qeverisë thotë se ka pasur raporte të mira me ish-Kancelaren Angela Merkel, por shmang komentin nëse këto raporte janë po kaq të mira me Kancelarin Olaf Scholz.
K”am pasur raporte të mira me Angela Merkelin. Ajo e dinte shumë mirë potencialin, por edhe rreziqet në Ballkan. Ajo kishte një vizion dhe jam shumë i lumtur që Olaf Scholz po e çon më tej këtë vizion”, iu përgjigj ai pyetjes nëse kishte mbështetjen e mjaftueshme nga Qeveria gjermane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.