Politike

Rama: Po analizojmë të tërhiqemi nga juridiksioni i Arbitrazhit. Rasti i fundit ‘Becchetti’ është skandaloz!

Nga Gazeta ‘SI’- Në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama tha se po analizon që Shqipëria të dalë nga juridiksioni i ICSID-së, qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (Arbitrazhi Ndërkombëtar), më të cilën qeveria shqiptare “do të hapë probleme të mëdha”.

Pyetur pikërisht për lajmin se biznesmeni italian Francesco Becchetti e kishte fituar arbitrazhin dhe Shqipëria i detyrohej mbi 100 mln euro, Rama tha se kjo është një gënjeshtër dhe e quajti skandaloz faktin që një të dënuari me burg i hapet rruga për në gjykatën e Arbitraritetit.

“Së pari, meqë më dolët në këtë temë kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqja e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë ka një lajm të kësaj natyre, në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar, arrin të çajë rrugën në një gjykatë, me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme, dhe nga e cila madje po analizojmë edhe daljen fare nga juridiksioni, sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur. Por, ajo që ka rëndësi sot për ta dëgjuar publiku është se po këta njerëz i kanë thënë publikut para nja dy vjetësh se Shqipëria i ka paguar ato para! Paratë nuk janë në xhepin e atij mashtros. Për sa i përket luftës me të, pa asnjë diskutim ne bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund!”, -përfundoi Rama.

Raporti i fundit lidhur me çështjet arbitrare të qeverisë shqiptare është ai i vitit 2021 nga ministria e Financave, ku Shqipëria kishte në total 400 mln euro detyrime ndaj kompanive të huaja, me të cilat kishte shkelur kontratat. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, vitin e shkuar, pranoi se kjo shifër mund të shkojë deri në 450 mln euro dhe pagesat do të shtrihen përgjatë disa viteve.

Përveç çështjes Becchetti, Shqipëria ka edhe 6 çështje të tjera në ICSID, që përfshijnë kompanitë Actor e Copri, e cila kërkon vlerën e dytë më të madhe pas Becchetti-t, 108 milionë euro për kontratën e ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan.

Lista vazhdon me kompaninë Valeria Srl, Dondi e Cubotta, Arca Energy dhe Kurum.

Nga ICSID janë tërhequr vetëm qeveritë e Bolivisë, Venezuelës dhe Ekuadorit, të cilat nuk kanë pranuar vendimet e kësaj gjykate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë