Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish në lidhje me pezullimin nga detyra me vendim të GJKKO-së të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, vendim të cilin ai e ka ankimuar në Gjykatë Kushtetuese.
Kreu i qeverisë ka dhënë sërish arsyet e tij se pse i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit të Ballukut, duke argumentuar se ministres po i pengohet puna.
Sipas Ramës, ka disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin.
Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht…
— Edi Rama (@ediramaal) December 3, 2025
Në një postim në rrjetin social “X”, Rama shkruan se marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve, nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep Ballukut.
“Ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara”, thotë ai.
Rama shton kompetencat e vendimmarrëse të ministrit nuk mund të delegohen tek askush tjetër.
Më tej, kreu i qeverisë shkruan se ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prej të cilave 18 janë për rindërtimin, të cilat mbeten të pezulluara, pasi Balluku nuk ka mundësinë e firmës, për t’i çuar përpara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



