Politike

Rama përkujton ditëlindjen e Ismail Qemalit

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar Ismail Qemalin në 177-vjetorin e datës së lindjes së “babait” të Shqipërisë.

“Njeriu që fati zgjodhi për ne, për të vendosur mbi kryet e Nënës Shqipëri, kurorën e sovranitetit, ishte një shqiptar i kurorëzuar nga virtutet dhe hiret. Sado larg të shtrihet vështrimi ynë në histori dhe në kohë, do të shëmbëllejë gjithmonë si yll i bardhë fytyra e hijshme dhe ogurmirë e kasnecit të Pavarësisë, Ismail Qemal Vlorës”, shkruan ai.

Duke e përshkruar si vetmitar, por gjithmonë me ndjekës, shqiptar unik, por edhe kozmopolit, Rama thotë se Ismail Qemali çau një shteg për këdo që dëshiron që të jetë sot shërbestar i Shqipërisë.

“Oxhak i vjetër, mendjehapur, luajal, i pavarur, i përkushtuar ndaj ideve, por i lirë dhe pragmatik, e jetoi me pasion dhe vendosmëri jetën e shënuar nga provania, duke u bërë shembull i lartësive njerëzore dhe morale për tërë brezat e mëpastajme. Me dashuri u martua me një zonjë jo të fesë së tij, prej dashurisë la të mirat e një pushteti të trashëguar, për, siç i shkruan trashëgimtarit të Osmanit, “të bërë diçka për vendin tim, Shqipërinë”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë