Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi se nëse strukturat hoteliere do paguajnë 65 për qind parapagim të xhiros së tyre, nuk do të kenë kontroll nga tatimet, për periudhën maj-shtator.
Rama tha se nëse bizneset nuk e pranojnë një opsion të tillë që po diskutohet, atëherë do të përballen me kontrolle dhe masa të ashpra.
Në një takim me sipërmarrësit e rinj në Sarandë, ai iu përmendi atyre hilet që bëjnë me mosdeklarimin e saktë për numrin e shtretërve. Sipas tij, ky opsion që po shqyrtohet do ndihmojë bizneset të fillojnë një formalizim gradual dhe do shmangë evazionin fiskal.
“Bëni shumë hile me numrin e shtretërve të zënë, duhet ta pranoni, çështja është që kjo hile na pengon të bëjmë më shumë për qytete sepse nuk i jepet mundësia bashkisë të mbledhë të ardhurat që i takojnë nga okupimi i shtretërve. Në Sarandë dhe Ksamil, nuk pretendon dot dikush që në korrik-gusht ka shtretër bosh, por po të shikosh deklarimet tuaja, duket sikur jetoni në krizë. Ne ulëm TVSH pikërisht për këtë, dhe prapë se prapë ju bëni sikur nuk kuptoni.
Megjithatë për të hyrë në një proces normalizmi dhe për të evidentuar dhe atë ardhjen e inspektorëve te dera, atëherë ne duke bërë dhe konsultim me ekspertizë ndërkombëtare kemi vendosur t’i japim një opsion strukturave hoteliere për të pranuar një paradeklarim me marrëveshje që për periudhën e pikut, nëse nuk duan kontroll, të paraguajnë 65%, që besoj se është shumë më ulët me të vërtetën, por duam ta nisim kështu.
Kush paguan maj-shtator 65% nuk ka asnjë kontroll, por ka pas dhe 30% e muajve të dimrit që bën balancë për mundësinë që të vazhdojnë të mbahen minimumi i stafeve. Ata që do pranojnë këtë marrëveshje nuk do kenë kontroll nga tatimet”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.