Kryeministri Edi Rama e ka quajtur sa qesharake, aq edhe serioze ngjarjen në uzinën e Gramshit ku u arrestuan dy rusët dhe shtetasi ukrainas, që po përballen me akuzat për spiunazh.
Rama tha se uzina është hequr nga objektet e rëndësisë së veçantë që prej vitit 2012.
“Mjegulla e ngritur mbi objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë, as fabrika që prodhojnë armë. Janë të deklasifikuara si objekte në vitin 2012 dhe faktikisht kanë statusin e shpk. që janë të falimentuara dhe që janë deri në pikën për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë iu priten edhe dritat, kanë edhe disa roje aty. Të thuash që po bëj spiunazh duke fotografuar ato mbetje të komunizmit është shumë qesharake”, deklaroi ai.
LEXO EDHE:
– Përplasja për ‘spiunët’, Ministria e Jashtme i përgjigjet Ambasadës Ruse
– Uzina e Gramshit është një gërmadhë me ushtarë që nuk ka as energji elektrike
– ‘Spiunët rusë me role të ndara’, fotografuan dhe baza të tjera ushtarake në gusht. Ja pse erdhën këtë radhë
Por, hetimet, sipas Ramës duhet të zbulojnë se cili ka qenë qëllimi i vërtetë i rusëve dhe ukrainasit të ndaluar, nëse ishin për spiunazh, apo për aventurë.
“Ajo që na shqetëson ne është këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë. Një mision spiunazhi që shfaqet me veturë sportive është pak si qesharake. I takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë është ku është qëllimi i vërtetë, përveç krijimit të kësaj mjegulle që në fund të ditës i shërbeu nxitjes së një sekëlldije. Njerëzit e thjeshtë bënë shumë humor me këta. Çfarë fshihet pas gjithë këtij spektakli?”, deklaroi Rama.
Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Arpatov u arrestuan pasditen e së shtunës. Njëri nga të huajt u përlesh me ushtarët, të cilët ruajnë objektin, duke lënduar dy prej tyre. Ata akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.