Politike

Rama për pallatet pa leje: Dosjet në prokurori i ka ‘zënë myku’

Kryeministri Rama duke iu përgjigjur komenteve për ndërtimet pa leje dhe lidhjet me to, ritheksoi se ai mund ta bënte një gjë të tillë dhe askush nuk do ta merrte vesh, por nuk është ai personi që jep tendera.

 “Po të jetë kjo histori oligarkësh të mi s’do e merrje vesh fare ti që kishte aty 4 mijë metra pa leje. Pikërisht se nuk ka asnjë krijesë tjetër përvec Zotit që mund të më kushtëzojë apo të më vërë në kushte varësie me para apo metra katrorë, kjo është e mundur të bëhet. Unë nuk merrem me tendera e nuk jap tendera, nëse flisni për kompensime mos i fusni të gjithë në thes. Bëjini pak llogaritë çfarë do të thotë të dorëzosh mbi katër mijë metra katrorë në qendër të Tiranës. 1.3 milionë dollarë është vetëm gjoba me çmimin e ligjit, llogariteni me çmimin që ka tregu, 5 mijë euro metri katrorë herë mbi katër mijë metra nëse do i kisha marrë ato para nuk do merrje vesh fare”, -shpjegoi Rama.

Kryeministri sulmoi përsëri drejtësinë duke thënë, se dosjet e ndërtimeve pa leje “i ka zënë myku”.

“Inspektorati kombëtar ka kallëzuar penalisht në gjithë këtë periudhë 40 subjekte ndërtuese, 18 kryetarë bashkie e komunash, jo vetëm të palës tjetër por edhe të PS, 12 drejtorë urbanistike në bashki, 25 kryeinspektorë të inspektoratit të mbrojtjes së territorit, 2 drejtor rajonal ALUIZNI, 4 anëtarë të këshillit të rregullimit të territorit. Janë këtu me emra dhe mbiemra. Pyetja është sa nga këta kanë shkuar përpara ligjit?Asnjë, të gjitha dosjet i ka zënë myku nëpër prokuroria.”

Ai shtoi se të gjitha pallatet e reja janë ekonomi, blihen nga shqiptarët dhe se janë broçkulla konstatimet se paratë e krimit lahen në këto ndërtime.

“Nga ana tjetër një kullë punëson afro 1000 vetë në sistemin e ndërtimit, pastaj sjell të ardhura si taksë mbi pronën, strehim, mjedise biznesi, patjetër punësim për shërbime dhe vizitorë. Kjo varet e gjitha nga cilësia, arkitektura. Koha do jetë zonja e rëndë që do flasë, këto ndërtime që po transformojnë Tiranën nga një katund i madh kaotik si ai gjeta unë në një metropol rajonal, janë ato që po i japin Tiranës identitetin e një kryeqyteti me histori dhe të ardhme.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë