Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama komentoi procesin e integrimit gjatë një takimi që mbajti me Asamblenë e PS-së në Lezhë, duke ironizuar ata që u shprehën spektikë lidhur me deklaratat e tij se do të mbyllin negociatat në vitin 2027.
Kryeministri pranoi se situata në Bashkimin Evropian nuk është aq e lehtë, teksa e krahasoi me dy kate. Ai tha se në katin e dytë qëndrojnë vendet anëtarë, të cilët sipas tij,varet se sa të gatshëm janë që të thonë “Po”, edhe pse vendi mund të ketë plotësuar kushtet e kërkuara nga Unioni.
Rama theksoi se mund të flasë për punët që i takon Shqipërisë për të bërë në lidhje me integrimin dhe jo për Francën e Gjermaninë.
Përmendja e kësaj të fundit u duk si një referencë për shkak të qëndrimit kritik që Gjermania ka pasur në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut dhe faktit që socialistët në Kuvend, me votat e tyre, nuk lejuan që t’i hiqej imuniteti i deputetes.
“Unë flas për punët tona, nuk flas për punët e Gjermanisë apo për punët e Francës. Unë flas për punët tona. Ne duhet të bëjmë punët tona. Ne nuk duhet t’u lëmë atyre asnjë sebep që pastaj gjërat të fillojnë të vonohen. Dhe për këtë na duhet të jemi kompaktë, na duhet të jemi të fortë dhe na duhet patjetër që në zgjedhjet e ardhshme vendore ne ta konfirmojmë forcën tonë me patjetër.”, tha ai.
Kryeministri theksoi se duhet të bëjnë gjithçka për këtë proces dhe se nuk mund ta lënë që të merret peng.
“Është e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë shumë e fortë dhe të vazhdojë të ushtrojë forcë për të realizuar një objektiv që është objektiv historik. Na e ka sjellë ne fati, Zoti, quajeni si të doni, që ta kemi këtë barrë, që ta çojmë deri në fund këtë proces. Edhe populli shqiptar na ka dhënë 83 mandatet për të na thënë: ja ku i keni, çojeni këtë proces deri në fund.
Dhe ne nuk mund të lejojmë që ky proces të merret peng për asgjë tjetër që është në dorën e shqiptarëve.”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje