Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek dosja e AKSHI-t, ku i doli sërish në mbrojtje ish drejtoreshës, Mirlinda Karçanaj.
Rama theksoi se nuk dëshiron të komentojë përmbajtjen e hetimit, por ngriti shqetësimin për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet publikisht institucioni dhe stafi i tij.
Kreu i qeverisë vuri theksin te parimi i prezumimit të pafajësisë, duke deklaruar se çdo person ka të drejtë të hetohet si i pafajshëm deri në provën e kundërt.
“Kam folur edhe për AKSHI-n dhe drejtoreshën që ndodhet në arrest shtëpie, nuk dua te them asgjë për përmbajtën e çështjes, por di të them një gjë që ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenarie si AKSHI, të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhiniere dhe vajza e djem që me në krye drejtoren e atij institucioni kanë punuar pa orar.
Njerëzit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe t’u jepet mundësia të hetohen të pafajshëm derisa të provohet ose jo fajësia e tyre.
Po sikur Linda Karçanaj të jetë krejt e pafajshme dhe jo një kriminele, pjesë e një grupi të strukturuar, si personazhi që ka krijuar për ta arrestuar dhe për ta masakruar me bomba artizanale, tenxhere më tenxhere, duke i vënë në kurriz vila e makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe që siç mora vesh as nuk e nget makinë dhe nuk e ka një të tillë”, tha Rama.
Më tej në vazhdën e saj që për të mbetet dalje në mënyrë flagrante jashtë standardeve të drejtësisë në një shtet demkoratik, Rama ngriti disa pyetje retorike.
“Po sikur drejtori i KESH-it, një tjetër specialist që e kam njohur personalisht, prej muajsh edhe në arrest shtëpie, për arsye krejt të paqarta. Kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes?! Po sikur e njëjta gjë të jetë edhe për 58% njerëz që sot janë nëpër burgje e që nuk u është bërë gjyqi?! Po nga plot e plot të pafajshmit tani që kanë kaluar eksperienca traumatike nga Prokuroria e pavarur? E dini ku janë? E kanë lënë punën në shtet, gëzojnë një status të vetëfituar, nuk firmosin asnjë copë letër nga frika, disa kurohen nga psikologët”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje