Nga Gazeta ‘Si’- Përtej gjithë retorikës së tij për gjyqësorin, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS kryeministri Edi Rama u ndal konkretisht te çështja e Belinda Ballukut.
Duke ripërsëritur faktin se ajo i ka dorëzuar dorëheqjen plot tre herë, Rama tha se për këtë çështje do të presë raportin e Këshillit të Mandateve, ndërsa shtoi se qeveria nuk mund të futet në vallen e dorëheqjeve automatike kur ngrihet një akuzë.
“Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, qysh kur iu ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion. Akuza nuk është për korrupsion por për pabarazi në tendera. Ma ka sjellë me shkrim dorëheqjen sërish kur u bë pezullimi dhe kur u ripezullua nga mosvendimi i Gykatës Kushtetuese.
E kam hedhur unë poshtë dorëheqjen. Kam bindjen që në këtë fazë të jetës institucionale të vendit, kur ndryshe nga vendet e tjera europiane në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë, nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihen akuza”, tha Rama.
Ai tha se e di mirë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, që nuk praktikohet kudo njëlloj, pasi sipas tij vendet në Europë si Gjermania janë shtete model të së drejtës prej vitesh.
“Është kollaj të thuash ‘në Gjermani një ministër i akuzuar jep automatikisht dorëheqjen’ po kush i bën këto krahasime nuk duhet të harrojë që Gjermania është një shtet model i së drejtës.
Nuk imagjinohen atje tezgat e pazarit mediatik. Në vendet e tjera europiane drejtësia nuk merret me gërmime, sepse atje nuk e ka filluar punën prokuroria para 5 vitesh.
Në Gjermani nuk ka një kompani transporti prokuroria që merr male me dokumente nga arkivat e ministrive dhe i çon në zyrat e prokurorisë. Në Gjermani këto nuk i imagjinon dot njeri se andej kufijtë janë shkruar përpara se ata të nxirrnin shtypshkronjën”, tha ai ndërsa shtoi se drejtësia në Shqipëri duhet të bëjë punën e saj dhe qeveria të vetën.
Në fund, përtej një lloj autokritike që bëri sa i takon ‘mbështetjes së palëkundur ndaj reformës në drejtësi’, Rama deklaroi me bindje e pa asnjë “pishman” se ajo është investimi më i madh strategjik i Partisë Socialiste.
Ai shtoi se edhe 100 herë po të kthehej pas, do e votonte sërish, pasi dëshiron drejtësi për Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje