Në një bashkëbisedim mbi dy orësh me qytetarët e Durrësit, kryeministri Edi Rama është ndalur tek investimet e qeverisë në këtë zonë, duke premtuar se pas një dekade Tirana dhe Durrësi do të jenë një.
“Tirana dhe Durrësi brenda një dekade do të jenë një dhe ky është destinacioni dhe ne duhet të punojmë me këtë destinacion. Ky do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë Tiranë-Durrës absolutisht do të jetë “një” në 10 vjet, nuk ka ku shkon”, premtoi ai.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama tha se hekurudha Tiranë-Durrës është gati për të nisur nga puna dhe se në funksion të kësaj do të jetë edhe porti i ri.
“Hekurudha Tiranë – Durrës është gati për të filluar nga puna, sepse është lidhur kontrata. Presim të na miratohet fondi për hekurudhën Durrës – Hani i Hotit që përsëri lidhet me portin. Plus hekurudha Durrës-Prishtinë dhe më tutje. Këtij porti mund t’i ndërtosh hekurudha afër, po nuk është në gjendje të jetë konkurrente me portet përballë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal gjatë edhe tek ndërtimi i Portit të ri duke premtuar se do jetë një ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe.
“Durrësi duhet të lirohet nga ngarkim-shkarkimi i mallrave. Ai është një port 2.400 vjeçarë në fakt, ndërkohë që Durrësi perspektivën e vet e ka të lidhur me turizmin. Një turizëm që në Durrës ka të ardhme, sepse qyteti ka vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Ka hapësira të rëndësishme për pushuesit, ka patjetër dhe kapacitet mikpritës me një kuzhinë gjithmonë e më të sofistikuar dhe nuk mundet më që mu në zemrën e vet të ketë një port që nga çdo pikëpamje është i tejkaluar nga vetë koha.
Durrësi është një qytet port i Shqipërisë. Ndërkohë që zemra e qytetit çlirohet nga ai aktivitet, të hapë me patjetër perspektiven për rritjen e mëtejshme të atij aktiviteti që në portin aktual është i pamundur. Kapacitetet e tij janë ato që janë. Sot ne duhet të shohim perspektivën e portit të mallrave në Durrës, si një perspektivë të lidhur me ambicien për të pasur një port shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e vëllimeve…”, tha ai.
Rama tha se sot ne kemi një nga kompanitë më të mëdha të botës që ka ndërtuar dhe operon një pjesë të madhe të investimeve turistike në Lindjen e Mesme që dërguar projektin e fazës së parë të portit turistik të Durrësit. Rama dha edhe një afat se kur do prezantohet projekti, brenda 15 shkurtit.
“Nuk parashikohej që një kompani e atyre përmasave të shprehte dëshirën për të ndryshuar portin e Durrësit. Ideja për të bërë një marinë pranë portit të Durrësit është një dëshirë e vjetër. Ka qenë një ide që është materializuar për të zhvilluar një koncesion në atë zonë qysh prej kohësh, edhe nga qeveritë e mëparshme dhe nuk ka funksionuar. Investitorë që të hedhin 200 e 300 milionë euro për të bërë turizëm në Durrës para disa vitesh nuk mundesh. Sot ne jemi duke parë propozimin konkret që është bërë për fazën e parë, ndërkohë që masterplani për transformimin e portit është aty.
Së pari njëherë kontratat e lidhura, që janë kontrata konçensionare për kompani siç janë kompanitë e tjera në portin aktual të Durrësit, janë marrëveshje të palëvizshme të shtetit Shqiptar.
Shteti shqiptar ka të drejtën për të pasur një port të ri. Nga ana tjetër shteti shqiptar ka detyrimin të respektojë këto kontrata. E gjithë veprimtaria që zhvillohet sot në portin e Durrësit. Të gjitha nevojat do t’i ketë dhe porti tjetër, kompanitë do të zhvendoset në portin tjetër me të njëjta hapësira, kushte. Pavarësisht se porti tjetër do të jetë një port me perspektivë zhvillimi që në volume do të jetë më i madh se porti i këtushëm”, tha Rama. Kryeministri premtoi se do të gjenerohen rreth 12 mijë vende të reja pune me paga të konkurueshme.
Rama u pyet edhe për vaksinën dhe situatën e Covid në vend. Rama paralajmëroi shtrëngim masash, por jo mbyllje dhe mbi të gjitha kujdes
në një kohë që sipas tij po qarkullojnë edhe mutacioni britanik i COVID-19 dhe ai i Afrikës së Jugut. Rama u pyet edhe për mundësinë e rritjes së pensioneve duke ironizuar në këtë drejtim premtimet e PD-së. Rama tha se rritja e pensioneve lidhet me rritjen e mundësive, pa dhënë ndonjë premtim konkret.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.