Sociale

Rama: Objektivi ynë, rritje 40% të pagave për mësuesit. Kushi: Do të rishikojmë tekstet shkollore

Gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2022 për Ministrinë e Arsimit, kryeministri Edi Rama tha se mandatin e tretë qeveria ka objektiv rritjen me 40% të pagave të mësuesëve.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit u shpreh se kjo varet edhe nga faktorë të tjerë që mund të pengojnë këtë qëllim, siç ishte tërmeti i para dy viteve dhe pandemia e koronavirusit.

“Vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni ynë i mandatit të tretë është që pagat të rriten padiskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre. Kjo lidhet me jo vetëm çka ne dimë sot dhe mund të planifikojmë sot, por lidhet nga ana tjetër me çka ne nuk e dimë dhe mund të na shfaqet përpara, pasi tanimë jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa shumë e impaktojnë jetën tonë dhe sa shumë ndërhyjnë në planet tona ngjarje që janë jashtë mundësive tona për t’u parashikuar”.

Rama kujtoi tërmetin e vittit 2019, që sipas tij pati një “impakt mbi familjet e prekura, por dhe mbi buxhetin e vendit. Jemi ende në kushtet e një pandemie që pati edhe ajo dhe vazhdon të ketë ndikimin e vetë. Por sidoqoftë ne do të vazhdojmë të synojmë objektivat maksimalë dhe nëse ky vit mbyllet përsëri me një rritje pagash”.

Rama kishte një porosi shumë të rëndësishme për Ministrinë e Arsimit në lidhje edhe me drejtuesit e shkollave.

Kreu i qeverisë tha se “sot kemi në shkolla drejtues që janë ‘out’ dhe që duhet të largohen për t’u lënë vendin atyre që e meritojnë”.

Ndërsa në fjalën e saj para mësuesve, ministrja e Arsimit Evis Kushi, theksoi se tekstet shkollore për mësimin parauniversitar do të rishikohen nga e para.

Sipas Kushit, pavarësisht se librat shkollorë sot janë më cilësorë, kanë nevojë për rishikim dhe ka nisur puna për këtë proces.

“Prej vitit të ardhshëm të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë do t’i kenë tekstet falas vetëm me një përdorim. Por edhe këtu pavarësisht se tekstet që kemi sot të përkthyera nga Oxford, Cambridge dhe Pearson, janë shumë herë më cilësore se sa tekstet që kishim deri dje, ne përsëri jemi plotësisht të vetëdijshëm që ka nevojë për shumë përmirësime”.

Kushi nënvizoi se ka nisur puna për të rishikuar në detaje të gjitha tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, për të korrigjuar çdo pasaktësi apo çdo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë