Qeveria greke miratoi dy ditë më parë vendimin që zgjeron ujërat territoriale të saj nga 6 në 12 milje në Detin Jon, duke nisur nga ishulli i Othonoit.
Për këtë vendim, Athina deklaroi se mbështetet në Konventën e Detit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të miratuar në vitin 1982.
Mediat greke cituan gjithashtu se ky vendim i hap rrugë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Shqipërinë për këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Por a i dëmton ky vendim interesat e palës shqiptare?
Kryeministri Edi Rama dha një përgjigje shteruese përmes një postimi në Twitter, duke publikuar edhe disa dokumente.
“Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës, ku nuk mund të ‘shiten’ e ‘blihen’ dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës, ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!
E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!
Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë!”, tha Rama, duke publikuar edhe disa dokumente bashkëngjitur postimit.
“Ja edhe dokumentet e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s’kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë! Lëreni llumin në batakun e vet!”, shkruan ai.
PDIU dhe LSI: Rama të japë shpjegime
Me heret, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi në lidhje me vendimin e Greqisë, e cila miratoi dekretin për zgjerimin me 12 milje në detin Jon dhe kërkoi që kryeministri Rama të dalë para shqiptarëve dhe të japë shpjegime.
“Edi Rama duhet të dalë para shqiptarëve dhe të japë shpjegime se çfarë marrëveshjeje ka arritur me Kryeministrin e Greqisë Micotaqis në shtator. Shqiptarët sot duan të dinë se çfarë i është premtuar Edi Ramës në këtë “darkë të gabuar” dhe më pas gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Dendias në Tiranë. Shqiptarët sot duan të dëgjojnë se cilat janë të drejtat dhe pretendimet e Republikës së Shqipërisë për delimitimin e ujërave në Detin Jon dhe projekti ku parashtrohen këto pretendime. Ne presim të dëgjojmë nga Edi Rama agjendën shqiptare të përfaqësimit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, informacionin mbi abrogimin e Ligjit të Luftës me Greqinë dhe ngritjen e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë”, tha PDIU, që fton shqiptarët në protestë për të kundërshtuar këtë zgjerim të Greqisë në kurriz të territorit tonë detar.
Edhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili theksoi se ndodhi ajo që ishte paralajmëruar gjatë verës.
“Zbulimi, hetimi dhe dënimi i tradhëtisë së Ramës me detin, mision pa kompromis kushtetues, shtetëror dhe historik! Deklarimet e Ramës në verën e këtij viti dhe pasiviteti i tij i qëllimshëm, që mbështesnin veprimet e njëanshme të Greqisë për 12 miljet ishin qartësisht qëndrime, që tradhëtonin interesat legjitime dhe të patjetërsueshme territoriale të Shqipërisë”, thotë Vasili.
Ndaj ai shtron disa pyetje.
“1.Cfare interesi të errët fsheh dhe kush ja ka lidhur gojen dhe duart Kryeministrit, që nuk bën trasparencën e situatës lidhur me negociatat për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë?
2.Nëse marrëveshje nuk pati, cilat ishin shkaqet që ajo u prish?
2.Përse Kryeministri nuk veproi dhe nuk reagoi pas deklaratave të qeverisë greke për zgjerimin me 12 milje, por zgjodhi pasivitetin e qëllimshëm, që u hapte rrugën veprimeve të njëanshme të Greqisë kundër interesave të Shqipërisë?”, pyet Vasili i LSI.
Ndërkohë deri tani nuk ka asnjë reagim nga Partia Demokratike pas vendimit të qeverisë greke që miratoi zgjerimin me 12 milje dy ditë më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.