Politike

Rama: Nvidia, e gatshme të bëhet partnere për Diellën

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa prezantoi kreun e ri të AKSHI-t, Igli Tafa, kryeministri Edi Rama njoftoi se së shpejti në Shqipëri do të vijë ekipi i Nvidias, që sipas tij, do e çojnë Diellën në një nivel tjetër.

Sipas tij, një prej kompanive më me vlerë dhe më me ndikim në të gjithë botën është e gatshme të bëhet partnere për Diellën.

Kreu i qeverisë tha se gjithçka është realizuar nga punonjësit e AKSHI-t, për të cilët premtoi rritje domethënëse rrogash.

“Unë dua t’ju inkurajoj për këtë gjë, por sëbashku me ministren kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion dhe të bëjmë një rritje domethënëse të pagave tuaj për t’ju thënë që ju kemi shumë të çmuar, shumë të shtrenjtë dhe nuk duam që ta braktisni shërbimin publik, nuk duam që talentin tuaj ta vini në dispozicion të sektorit privat.

Duam që të besoni se këtu ju jeni zot shtëpie dhe nga kjo shtëpi ju lehtësoni jetën e kaq shumë njerëzve. Ju bëni që kaq shumë njerëz të shërbehen me një shpejtësi që nuk ishte imagjinuar shumë pak kohë më parë”, tha Rama.

Nuk mungoi as edhe një mesazh për drejtësinë, për të cilën Rama tha se është në një fazë “revolucioni” për t’u transformuar nga një “kalbësirë e gjallë” në një sistem drejtësie të barabartë dhe funksional.

“Jetojmë në një fazë të historisë, ku po ndodh një tjetër revolucion, si ai revolucioni që ju bëni çdo ditë për të transformuar Shqipërinë në shëmbëlltyrë të botës së re digjitale. Po ndodh edhe një tjetër revolucion, më i egër, më i dhimbshëm, me më shumë plagë me më shumë brutalitet, por i domosdoshëm, revolucioni i transformimit të sistemit të drejtësisë nga një kalbësirë e gjallë, në një sistem drejtësie të drejtë, barabartë dhe funksional.

Jemi larg prej kësaj të fundit, por rruga është pakthim, dhe për fat të keq, nëse në botën tuaj virtuale eksperimente bëhen me algoritme, nëse në botën tuaj virtuale dështimet janë ngecje, fikje të programit, në këtë botën e drejtësisë, këto bëhen mbi lëkurën e njerëzve. Nuk është një kompjuter që fiket, është një jetë njeriu që vendoset në pozitë aspak të admirueshme dhe aspak për tu pasur zili”, vijoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë