Politike

Rama: Nuk marrim refugjatë nga Palestina. Asnjë nuk na ka pyetur nga SHBA, por gjatë qeverisjes sime jo!

Gazeta Si – Kryeministri shqiptar Edi Rama ka përsëritur nga Mynihu në Gjermani, se qeveria amerikane nuk i ka parashtruar ende ndonjë kërkesë për strehim refugjatësh palestinezë në Shqipëri, por përgjigjia do të jetë gjithsesi “Jo!”.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë, me temë “Lufta në Gazë dhe konflikti Izrael-Palestinë”, Rama tha askush nga administrata Trump nuk e ka pyetur në lidhje me këtë çështje, por përgjigjia e Shqipërisë për pranimin e emigrantëve do të ishte negative.

“Asnjë nuk na ka pyetur nga administrata Trump, por dhe nëse do të na pyesin, çka nuk është e logjikshme, sepse ne jemi në mes të Europës dhe si mund të vijnë tek ne qindra-mijëra persona? Gjithsesi kjo është pjesë logjistike dhe ne jemi një vend i vogël. Por kjo nuk ka për të ndodhur, të paktën jo gjatë qeverisjes sime”, shprehet kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë u solidarizua me vuajtjet e palestinezëve, por theksoi se Shqipëri nuk mund të bëhet pjesë e kësaj historie.

“Ne na vjen shumë keq për këta njerëz, të cilët janë viktima të një prej diktaturave më të egra që ka ekzistuar ndonjëherë, që është Hamasi, por ne nuk jemi pjesë e kësaj historie dhe nuk do të jemi kurrë”, tha Rama.

Që në nisje të takimit, Rama shprehu habi pse duhet të ishte në një takim temë mbi konfliktet e Lindjes së Mesme duke thënë “Nuk kuptova pse më kërkuat dëshpërimisht që të isha pjesë e këtij paneli për Lindjen e Mesme”.

Duke sjellë në vëmëndjen e të pranishmëve mikpritjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, pranimin e 7 mijë muxhahedinëve dhe strehimin e afganëve që u larguan pas rikthimit në pushtet të talebanëve në vitin 2021 dhe që u strehuan në Shëngjin, ku ende vazhdon të jetë një pjesë e tyre – Rama deklaroi se situata me palestinezët është ndryshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë