Politike

Rama: Asgjë personale me Kurtin, s’bie dakord me politikën e tij

Nga Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama ka folur për vizitën që zhvilloi në Kosovë në kuadër të turit Ballkanik, por që nuk u prit nga kryeministri Albin Kurti. Rama tha për Klan Kosova se nuk interpreton qëndrimet e Albin Kurtit, por theksoi se është e rëndësishme që njerëzit të flasin dhe të takohen për të diskutuar madje edhe kur kanë mendime të ndryshme.

Rama tha se ka tentuar edhe më parë të  komunikojë dhe të takohet me Kurtin por nuk ka mundur për shkak të impenjimeve të Kurtit.

“Për këtë duhet të pyesni Albinin, skam ardh me mision të interpretojë qëndrimin e Albinit, gjëja më e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen dhe flasin, për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme, sepse duke u takuar dhe folur mbase kuptojnë më mirë njëri tjetrin. Kemi komunikuar ose më saktë jam përpjekur të komunikoj, por ka qenë e vështirë. Është një moment i tillë dhe nuk dua të jap gjykim”, tha Rama duke shtuar se ka dhe një keqkuptim sikur anulimi i mbledhjes ka ardhur si pararendje e masave të BE, kur në fakt e kundërta.

“Kam dashur takim që ti përcjell disa shqetësime dhe kam dashur që të lehtësoj pozicionin e Kosovës. E kam kërkuar nga Borrell duke i kërkuar që të shtyjë disa ditë nxjerrjen e masave në një përpjekje për të kuptuar situatën dhe palët. S’ka qenë e mundur për ta bërë takimin se Albini ka qenë shumë i zënë, punë të tjera që nuk ka qenë i disponueshëm. Ja kam thënë që ne nuk mundet dot të sillemi sikur asgjë nuk po ndodh dhe të bëjmë një mbledhje sikur çdo gjë shkon për mrekulli”, tha Rama.

Rama u shpreh se Kurtin e çmon si njeri pavarësisht bindjeve politike të tij pork a një  ndarje shumë të madhe midis tij dhe Kurtit si kryeministër.

“Se flitet sikur ka ndonjë gjë personale mes meje dhe Albinin, kjo s'ka lidhje fare. Unë jo vetëm që nuk kam problem por e konsideroj një njeri atraktiv që mund të flas shumë, mund të mos biem dakord për shumë gjëra po biseda është e këndshme. Kam shumë marrëdhënie pozitive me atë person. Me kryeministrin e Kosovës në këtë moment kam një divergjencë të madhe, një vetë izolim i çuditshëm që po ja imponon vetë Kosova zyrtarëve partnerëve dhe miqve tanë”, tha Rama.

Rama tha se ky takim ishte i nevojshëm për shkak të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë në tetor. Rama thotë se nuk shkruajnë dot në raport se s’ka propozime nga Kosova se nuk kemi kontaktuar dot.

“Nuk e konceptoja dot që në raportin që do bëjmë për Berlinin të shkruajmë nga Kosova s’kemi ndonjë material apo propozim se s’kemi arritur të kontaktojmë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë