Politike

Rama nuk i mohon përplasjet në PS: Por njerëzit duan të dinë gjëra të tjera

Gazeta Si – Në një takim me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, kryeministri Edi Rama nuk i ka mohuar përplasjet në mbledhjen e fundit të zgjeruar të grupit parlamentar socialist, ku sipas raportimeve ka pasur një debat të ashpër me ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali.

Rama u shpreh se ato i janë dukur “spektakolare” dhe “të pabesueshme”, duke theksuar se mbledhjet e tilla zhvillohen rregullisht për të diskutuar çështje të rëndësishme si pronat, kadastra dhe reforma territoriale.

Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, disa media raportojnë mbi këto takime, duke u fokusuar në detaje të brendshme politike dhe jo në problemet reale të qytetarëve.

“Njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës… kjo është jeta reale” u shpreh Rama, duke iu referuar edhe ndikimit të konflikteve ndërkombëtare në rritjen e çmimeve.

Më pas, Rama u shpreh se gjatë qeverisjes së tij është bërë e mundur hetimi i zyrtarëve të lartë për korrupsion.

“Nga një anë është SPAK, gjykata speciale, pushteti gjyqësor dhe përpjekja jonë për të reformuar sistemet për t’i bërë më pak të prekshme nga korrupsioni. Kemi bërë një transformim shumë të madh për prokurimet; tani ministritë nuk bëjnë më tendera. Bëhen nga një institucion përkatës. Ne e kemi pavarësuar drejtësinë, – vijoi ai. – Është e pabesueshme të diskutohet fakti që, nëse sot ka një drejtësi që vepron pavarësisht, kjo është fal nesh, fal kësaj partie dhe reformës që kemi bërë në drejtësi. Rëndësi ka që të dali e drejta. Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë hetime të zyrtarëve të lartë apo ngritje akuzash”, tha Rama.

Sa i takon naftës, kryeministri tha se çmimi është shqetësues, por heqja e taksës së qarkullimit do të sillte pasoja në xhepin e qytetarëve.

Rama në fund shprehu bindjen se Tirana do të mbetet nën qeverisjen e socialistëve edhe pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë